Projekti i sigurimeve shëndetësore ka mundësi të dështojë gjashtë muaj pasi të fillojë mbledhja e premiumeve. Kjo, sipas ekspertit për çështje shëndetësore, Ilir Hoxha, mund të ndodhë pasi Ministria e Shëndetësisë nuk i ka përmbushur të gjitha kushtet për funksionim të mirëfilltë të sistemit shëndetësor.
Komponentët që më së shumti rrezikojnë dështimin e këtij projekti, sipas Hoxhës, janë: çmimorja e shërbimeve, pakoja bazë e shërbimeve që do të ofrohen dhe mënyra se si do të kontraktohen këto shërbime. Nëse njëra prej këtyre nuk do të dizajnohet mirë, Hoxha ka thënë se dështimi është i pashmangshëm.
Në intervistën për “E diela me Kohën Ditore”, ai e ka cilësuar të gabuar barazimin që po i bëhet sektorit privat me atë publik nga politikëbërësit. Hoxha konsideron se reforma shëndetësore duhet të bëhet ashtu që të rregullohet sistemi publik, por t’i lihet vend sistemit privat për shërbime të specializuara e kushte të avancuara.
“Edhe nëse fillon implementimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore, gjendja në shëndetësi mund të mos ndryshojë përderisa nuk ndryshohet mënyra se si funksionojnë menaxherët e spitaleve, mjekët dhe strukturat në Ministrinë e Shëndetësisë, sepse kjo ministri nuk është treguar e fuqishme që të zbatojë reformat”, ka thënë Hoxha, shkruan Koha Ditore.