Site icon Telegrafi

Hoxha: Rruga jonë integruese është e pandalshme

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka thënë se Kosova është e përkushtuar në zbatimin e MSA-së, pasi nga kjo do të varet rruga dhe e ardhmja e vendit tonë drejt Bashkimit Evropian.

Në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ministrja Hoxha mbajti fjalë rasti, ku ishte e pranishme përfaqësuesja e BE-së për Kosovë, Natalyia Apostolova, diplomatë dhe ekspertë të integrimeve evropiane.

Ministrja Hoxha, shprehu përkushtimin për të çuar përpara procesin e integrimit evropian, dinamika e të cilit konsideron ajo, duhet përshpejtuar.

“Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit përmes së cilës Kosova  për herë të parë hyri në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, përveç që është sukses, duhet të jetë edhe shtytje që e njëjta të implementohet suksesshëm në mënyrë që të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, tha Hoxha.

Ajo tha se Ministria e Integrimit Evropian ka filluar rishikimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, me ç’rast  në muajin tetor do të mbahet takimi i parë i Komitetit në Bruksel, ndërsa në nëntor do të mbahet takimi i dytë i Këshillit.

Hoxha tha se Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë lansuar Agjendën Evropiane të Reformave, e cila parasheh zbatimin e 22 prioriteteve konkrete.

“Prioritet duhet dhënë reformave në fushën e sundimit të ligjit, përafrimit të legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së, zbatimit të legjislacionit, klimës së të bërit biznes, mbrojtjes së konkurrencës, avancimit të politikave të arsimit dhe punësimit si dhe bashkëpunimit rajonal”, tha ministrja Hoxha.

Exit mobile version