Komisioni për Integrime Evropiane mban mbledhjen e radhës, ku do të diskutohet lidhur me Strategjinë e Zgjerimit të Bashkimit Evropian për Shtete e Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimit të Kuvendit, e ftuar do të jetë ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, e cila po kërkon që strategjia e zgjerimit të BE-së, që do të publikohet në shkurt 2018, duhet të përcaktojë hapat konkret për anëtarësimin e Kosovës në BE, që mund të jetë fillimi i negociatave, si dhe një datë të mundshme e pranimit.
Një ditë më parë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi bëri të ditur se pas pak ditësh do të prezantohet Strategjia e zgjerimit e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Dua të shpresoj se edhe Kosova me kryerjen e obligimeve të veta do të përfshihet në mënyrë të qartë dhe të meritueshme në Strategjinë që do të publikohet pas pak ditësh”, tha ndër të tjera Thaçi.
Presidenti i vendit shprehu bindjen se Kosova ka të ardhme evropiane.
Ai tha se beson fuqishëm se Strategjia e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë konkrete edhe për Kosovën, si edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, Kosovës i duhet qartësia për të ardhmen evropiane dhe kësaj qartësie do t’i ndihmojë shumë edhe vendimmarrja e institucioneve të vendit gjatë ditëve të ardhshme. /Telegrafi/