Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, raportoi para Komisionit të përhershëm parlamentar për Integrime Evropiane, ku prezantoi Zbatimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKZMSA) për vitin 2018, Zbatimi i ERA-s për periudhën 2016-2019 dhe Rritja e fondeve të BE-së për Kosovën.
“Zbatimi i PKZMSA-së për vitin 2018 ka tejkaluar planet. Sipas Marrëveshjes, ka qenë e paraparë që zbatimi të jetë së paku 60%, ndërkohë që plani është tejkaluar në 68.23% për vitin 2018”, tha Hoxha, dhe shtoi se gjatë vitit 2017 është zbatuar 62.05%.
Ajo ka theksuar se janë të përkushtuar që gjatë vitit 2019 të rrisin dinamikën e zbatimit të masave legjislative, ndërkohë që edhe përkundër rezultatit të mirë të nivelit të masave zbatuese do të përpiqen që edhe këtë dinamikë ta rrisin dhe të tejkalojmë planet.
“Tashmë kemi rishikuar PKZMSA-në 2019-2023 dhe kjo shumë shpejtë do të miratohet në Qeveri. Sipas planeve të dakorduara me BE-në, zbatimi i PKZMSA-së për vitin 2019 pritet të jetë 70%, ndërsa për vitin 2020 të jetë 80%”, u shpreh Hoxha.
Sa i përket zbatimit të ERA-s për periudhën nëntor 2016 deri në janar 2019 rezultatet janë po ashtu inkurajuese, potencoi ministrja.
“Niveli i zbatimit të ERA-s që nga fillimi i saj në nëntor 2016 e deri në fund të janarit 2019 është 71.85%, pasi që 97 nga 135 veprime janë zbatuar plotësisht, ndërsa 38 prej tyre (28.15%) janë në zbatim e sipër. Të dhënat tregojnë se deri më tani janë zbatuar plotësisht 10 nga 22 prioritete, ose 45.45% e tyre, ndërsa 12 prioritete, ose 54.55% e tyre, janë në zbatim e sipër.
Presim që gjatë vitit 2019 të rrisim dinamikën e zbatimit të prioriteteve të ERA 2 dhe do të përpiqemi të tejkalojmë planet, theksoi Ministrja Hoxha, ashtu sikurse te PKZMSA, edhe zbatimi i mbi 70% i ERA-s, demanton plotësisht zërat se kinse Kosova ka pasur ngecje në këtë drejtim”, u shpreh Hoxha, thuhet në njoftimin për media.
Ajo tutje përgënjeshtroj të gjitha ato spekulime që po bëhen dhe që mund të bëhen, sepse Kosova nuk ka humbur as edhe një cent të vetëm nga fondet e BE-së, përkundrazi, fondet e BE-së vetëm sa janë rritur e assesi nuk janë zvogëluar, dhe ka argumentuar me radhë aspektet kronologjike.
” Me IPA 2016, Pjesa 2, është nënshkruar Kontrata për Mbështetje Buxhetore për Reformën e Administratës Publike, në vlerë prej 25 milion euro, kurse me IPA 2017, Pjesa 2, është nënshkruar Kontrata për Mbështetjen Buxhetore për Menaxhimin e Financave Publike, në vlerë prej 25 milion euro”, tha Hoxha.
Po ashtu, ministrja Hoxha informoi Komisionin parlamentar se fondet e BE-së për Kosovën vetëm sa janë rritur si: IPA 2017 ka ndarë 73 milion euro, IPA 2018 ka ndarë 90.5 milion euro, kurse IPA 2019 – 2020 mbi 200 milion euro.
Përpos fondeve të IPA-s, më lejoni t’ju informoj që Kosova përfiton fonde edhe nga Korniza Investive e Ballkanit Perëndimor (ËBIF), vuri në dukje Ministrja Hoxha, vetëm në këtë raund të aplikimeve, pra raundi 21 i aplikacioneve në kuadër ËBIF-së: vlera e projekteve infrastrukturore tejkalon shumën prej 250 milion euro, vetëm ndërtimet e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, impianteve për ujë të pijshëm dhe kolektorë të ujërave nëpër qendrat e mëdha dhe të vogla të Kosovës tejkalojnë vlerën prej 400 milion euro. Po ashtu, Ministria do të fillojë rishikimin e Listës Prioritare të Projekteve duke hapur rrugë për investime në projekte të mëdha infrastrukturore.
Hoxha u përgjigj edhe ndaj pyetjeve të parashtruara nga deputetët, anëtarë të Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, rreth përqindjes së realizuar të MSA-së, fondeve të IPA-s, shfrytëzimi i fondeve të BE-së si dhe vijimi i angazhimit për procesin integrues dhe liberalizimin e vizave. /Telegrafi/