Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka mirëpritur Raportin për vendin të Komisionit Evropian duke e konsideruar real dhe objektiv.
Hoxha ka theksuar se është shumë e rëndësishme që Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka bërë progres në shumë fusha.
“Raporti ka trajtuar edhe reformën e administratës publike dhe sistemin gjyqësor”, ka shkruar Ministrja Hoxha, duke shtuar se “ndër çështjet më të rëndësishme në këtë raport, është njohja e progresit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas saj, KE ka potencuar se institucionet e Kosovës kanë bërë progres në ndjekjen e rasteve të profilit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Po ashtu, është theksuar se ka progres edhe në konfiskimin preliminar të aseteve.
“Njohja e këtij progresi është shumë e rëndësishme për procesin e liberalizimit të vizave”, tha Hoxha.
Po ashtu, ka theksuar Ministrja Hoxha, Raporti në përgjithësi, ka vlerësuar se institucionet e Kosovës kanë arritur progres në fushën e kritereve ekonomike, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si dhe në përgjithësi sa i përket harmonizimit të legjislacionit me standardet e BE-së.
Më tej, thekson Ministrja, “gjatë këtij viti, duhet të fokusohemi më shumë në fuqizimin e zbatimit të ligjeve, implementimin e reformës së administratës publike, duhet vazhduar lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe duhet rritur konfiskimi i aseteve. Po ashtu, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet fushës së arsimit dhe punësimit si dy fusha kyçe për implementimin e suksesshëm të MSA-së”.
Ajo po ashtu theksoi se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet fushës së arsimit dhe punësimit si dy fusha kyçe për implementimin e suksesshëm të MSA-së. /Telegrafi/