Deputetja Eliza Hoxha, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në seancën e Kuvendit të Kosovës foli për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19”, nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Hoxha tha se ky Komision do të merret me hetimin e të gjitha masave të ndërmarra nga Qeveria e kaluar, në rastin e menaxhimit të situatës së pandemisë COVID-19.
“I kemi paraqitur Kryesisë së Kuvendit, propozimin për formimin e Komisionit përhetim parlamentar, në lidhje me virusin COVID-19, nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si bartësi kryesor i përgjegjësive për menaxhimin e pandemisë COVID-19, përkatësisht hetimin në të gjitha aspektet e vendimmarrjes së saj që nga koha e pandemisë. Puna hetimore e komisionit, do të bazohet në ndriçimin e fakteve, konstatimin dhe përshkrimin e ngjarjeve, veprimet dhe mosveprimet e pushtetit të kaluar, etj”, ka thënë ajo.
Ajo tha se qeverisja e kaluar, nuk ka pasur plan veprimi për menaxhimin e situatës, por veprimet dhe vendimet e tyre kanë qenë ad-hoc.
Hoxha gjithashtu theksoi se qeverisja e kaluar, me vendimet për masat kufizuese shkeli liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.
“Qeveria dikur në dorëheqje nuk ka hartuar ndonjë plan konkret strategjik për menaxhimin e pandemisë, duke marr veprime Ad-hoc. Me vendimet e saj për vendosjen e masave kufizuese, ka shkaktuar shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore Kushtetuese, të mbrojtura me Kushtetutën e Kosovës, për dy herë radhazi, shkelje këto të konfirmuara dy herë radhazi nga Gjykata Kushtetuese”, tha ndër të tjera ajo.
Siç tha Hoxha, rasti i të riut Agon Musliu, duhet të hetohet dhe Komisioni duhet të bashkëpunoj me institucionet përkatëse.
“Për më tepër nga vendimet për vendosjen e masave kufizuese të qeverisë së atëhershme si dhe shpalljen e konvikteve si qendra karantine, ka pasur parregullsi të shumta të cilat u raportuan në media të shumta. U përdor parimi selektiv në trajtimin e qytetarëve si nga diaspora ashtu edhe qytetarët që jetojnë në Kosovë. Si dhe u shënua dhe një rast tragjik, i studentit Agon Musliut. Shkaqet dhe rrethanat e të cilit duhet të zbardhen nga institucionet përkatëse, ndërsa komisioni me punën e tij duhet të bashkëpunoj me këto institucione por pa u kufizuar në rastin tragjik, dhe pa paragjykuar në asnjë rast rrethanat dhe humbjen e jetës së tij”, theksoi ajo.
Deputetja Hoxha, sqaroi se ky Komision po ashtu do të merret edhe me hetimin dhe mbikëqyrjen e masave dhe veprimeve të marra në raport me efektet ekonomike.
“Komisioni i propozuar do të merret dhe me hetimin dhe mbikëqyrjen sa i përket masave dhe veprimeve të marra në raport me efektet ekonomike. Si dhe ky Komision do të merret dhe me sigurimin e mjeteve të medikamenteve si procedurat për realizimin e tyre, për virusin COVID-19”.
Hoxha po ashtu tha se Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-19, do të ketë 11 anëtar dhe afat prej 6 muajsh nga dita e themelimit nga ana Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/