Në Diskutimin në tavolinë të rrumbullakët me temën “Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën 2018”, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka diskutuar rreth gjithëpërfshirjes në këtë proces, të arriturat e evidentuara këtu dhe sfidat që dalin nga Raporti.
Institucionet e Kosovës janë duke punuar në të gjitha drejtimet e mundshme për të avansuar në procesin e integrimit evropian, theksoi Ministrja Hoxha, duke vënë në pah përparësitë dhe mangësitë e pasqyruara në Raportin për Vendin të vitit 2018, të cilat trajtohen me seriozitet.
“Jemi duke punuar në disa drejtime me theks të veçantë në sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe plotësim të standardeve evropiane. Siç e dini Kuvendi i Kosovës më 30 maj 2018 ka miratuar Planin e rishikuar Kombëtar për Zbatimin e MSA-së për periudhën 2018-2022. Për vitin 2017 ky plan është përmbushur në masën 62 %”, tha Hoxha.
Në fushën e Sundimit të Ligjit, vuri në dukje ministrja Hoxha, jemi duke punuar në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Agjenda për Reforma Evropiane, Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së dhe sfidat e Raportit për Vendin.
“Përqendrimi është në politika e legjislacion, konsolidim të strukturave institucionale dhe përmirësim në zbatimin e legjislacionit. Reforma e Administratës Publike është duke u bërë në koordinim të plotë me BE-në. Fuqizimi i sektorit të Sundimit të Ligjit do të ketë ndikim pozitiv në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, krijimin e një mjedisi më të favorshëm për biznese dhe investime të huaja”, theksoi Hoxha.
Qeveria është duke punuar në përafrimin e legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së, fuqizimin e strukturave institucionale, të cilat do të rrisnin nivelin e bashkëpunimit ndër-institucional e bashkë me këtë edhe nivelin e zbatimit të legjislacionit, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar edhe sfidat në fushën e mjedisit.
“Kosova është pjesë e shumë iniciativave të ndryshme, si Procesi i Berlinit, Korniza Investive e Ballkanit Perëndimor që kanë për qëllim zhvillim e Kosovës dhe rajonit në shumë drejtime, e sidomos në projekte infrastrukturore”, ceku ministrja Hoxha dhe falënderoi projektin e GIZ-it për mbështetjen që është duke dhënë në shtyerjen përpara të agjendës evropiane.
Në fund, së bashku me anëtarët e panelit, Ministrja Hoxha u përgjigj në pyetjet e parashtruara në këtë tryezë, me theks në liberalizimin e vizave, procesin integrues, zabtimin e MSA-së dhe reformat e gjithanshme për këtë proces. /Telegrafi/