Telegrafi

Hoxha: Prokuroria po hesht ndaj mosraportimit të pasurisë nga zyrtarët publikë

Drejtësia Sot, si platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike ka analizuar trajtimin e 20 rasteve të zhvilluara ndaj zyrtarëve të lartë publik gjatë vitit 2019 lidhur me veprën penale “mos raportimi, ose raportimi i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Drejtoresha e GLSP-së, Rreze Hoxha tha se veç heshtjes së prokurorisë dhe ndërmarrjes së veprimeve konkrete në shumë prej rasteve, analiza e bërë ka identifikuar edhe probleme në kualifikimin e veprës penale, e që thotë se kjo është përgjegjësi totale e prokurorisë.

Ajo tregoi edhe se në katër raste ndaj zyrtarëve publikë në Kosovë, Prokurori i Shtetit ka shkelur dispozitat e Kodit Penal të Kosovës.

“Pos heshtjes së prokurorisë dhe ndërmarrjes së veprimeve konkrete në shumë prej rasteve, analiza ka identifikuar edhe probleme në kualifikimin e veprës penale. Përgjegjësi kjo totale e prokurorisë. Në katër raste ndaj zyrtarëve publik në Kosovë, Prokurori i Shtetit ka shkelur dispozitat e Kodit Penal të Kosovës. Veprimet e të akuzuarve nuk janë kualifikuar si deklarim jo i saktë dhe i rrejshëm i pasurisë për të cilën parashihet dënim më i ashpër, por janë kualifikuar si mosdeklarim i pasurisë apo refuzim i deklarimit për të cilën parashihet dënim më i butë”, tha drejtoresha e GLSP-së.

Hoxha shtoi se në këtë analizë kanë rezultuar trajtimin e këtyre rasteve edhe nga ana e gjykatave.

“Në asnjërin prej këtyre rasteve nuk është shqiptuar dënim me burgun efektiv. Në tetë raste është shqiptuar dënim me gjobë, në një rast është shqiptuar dënim me kusht. Në tetë raste është shqiptuar dënim kumulativ me gjobë edhe me kusht. Ndërsa në tri raste është shqiptuar sanksion penal”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, në Kosovë ka mungesë të trajtimit të mirëfilltë të këtyre rasteve. /KP/Telegrafi/