Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në seancën e sotme ka diskutuar për MSA-në dhe implementimin e saj, aspiratat e Kosovës për anëtarësim në familjen evropiane, aplikimin për statusin e vendit kandidat dhe për liberalizmin e vizave.
Ministrja Hoxha ka kërkuar nga institucionet dhe akterët politik që të reflektojnë për mirëqenien e qytetarëve dhe t’u japin fund pritjeve të qytetarëve tanë para ambasadave.
“T’i japim fund izolimit. Ju lus për konsensus për interesin e vendit tonë, ju lus që të paktën kësaj radhe të bëhemi bashkë për qytetarët tanë, për të rinjtë tanë dhe të mundësojmë plotësimin e kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave respektivisht ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi”, tha ministrja Hoxha.
Ndërsa sa i përket kriterit të dytë, luftimit të korrupsionit, ministrja bëri të ditur se tashmë është arritur progresi i konsiderueshëm, megjithatë ky është një kriter që në vazhdimësi duhet të shënojë progres.
Për këtë, do të mbështeten fuqishëm institucionet e sundimit të ligjit në intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Pas hyrjes në fuqi të MSA-së, synimi strategjik i Qeverisë është përmbushja e kritereve për të marr statusin e kandidatit për anëtarësim në BE deri në vitin 2020. Kjo do të ishte një dinamikë e bazuar në përvojën e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vlerësimin objektiv të detyrave që duhet të përmbushim brenda kësaj periudhe. Në këtë kuadër, Qeveria do të ndërmerr të gjitha masa për të siguruar zbatimin e dispozitave prioritare të MSA-së, dhe prioriteteve politike në kuadër të Agjendës Evropiane të Reformave. Kjo do të përbënte një bazë të mirë për të mundësuar Komisionit Evropian ofrimin e mendimit pozitiv për aplikacionin e Kosovës për marrjen e statusit të kandidatit, në koordinim të plotë me vendet anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së”, theksoi Hoxha.