Site icon Telegrafi

Hoxha: Po përmbushim obligimet e MSA-së për sundimin e ligjit

Në komisionin Parlamentar për Stabilizim-Asociim, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha raportoi para këtij komisioni, duke vënë theksin në angazhimin e saj dhe të Ministrisë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mbështetjen e sundimit të ligjit, funksionimin e gjyqësorit dhe vënien e drejtësisë për rastet e krimeve të luftës.

Ministrja Hoxha, i njoftoi të pranishmit në pika të shkurtra me aktivitetet dhe angazhimet e Ministrisë në rishikimin e një sërë ligjesh në funksion të rritjes së efikasitetit dhe fuqizimit të gjykatave.

“Pjesë e këtyre ndryshimeve do të jetë rishikimi i çështjes së afatit të zhvillimit të hetimeve për kategori të caktuara të veprave penale, ndjekja e të cilave nuk parashkruhet, pra veprat penale kundër të drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë gjenocidin, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit”,  tha Hoxha.

Pas hartimit dhe hyrjes në fuqi të legjislacionit për të drejtën për kompensim të viktimave të krimit, si dhe pas ndarjes së mjeteve buxhetore nga Qeveria, theksoi Ministrja, tanimë janë gati të fillojnë me procesin e kompensimit të viktimave të krimit, proces të cilin janë të përkushtuar ta fillojnë sa më parë.

Ajo tha se vëmendje të veçantë po i kushtojnë krimeve të luftës.

“Është tejet evidente që Kosova ka infrastrukturën adekuate ligjore për të bërë gjykimin e krimeve të luftës por që mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Jemi të përkushtuar dhe do t’i japim prioritet gjykimit të këtyre krimeve me mekanizmat që i kemi në dispozicion”, tha ajo.

“Në bashkëpunim me UN Women dhe në koordinim me institucionet tona, është përgatitur Plani i Veprimit për qasje në drejtësi për viktimat e dhunë seksuale gjatë luftës. Ristrukturimi, reforma ligjore dhe institucionale, zhvillimi i kapaciteteve të akterëve relevantë, si dhe mbështetja për fuqizimin dhe mobilizimin e përkrahjes publike për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, është njëra nga çështjet që do ta ketë fokusin e angazhimeve të mia dhe të Ministrisë”, theksoi ministrja Hoxha.

“Në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në sistemin e burgjeve, respektohen Standardet Minimale të rregullave të OKB-së për trajtimin e të Burgosurve si dhe Rregullave Evropiane të Burgjeve. Njëkohësisht, jemi në finalizim e sipër të Strategjisë për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, e cila synon të përmirësoj administrimin e ekzekutimit të sanksioneve penale në Kosovë. Gjithashtu, kjo Strategji do të shërbej në sensibilizimin e gjykatave për rritjen e numrit të rasteve të shqiptimit të dënimeve alternative- dënimin me kusht, gjysmë liria, puna në dobi të përgjithshme- për vepra më të lehta penale, theksoi Ministrja Hoxha, dhe shtoi se Ministria është duke punuar për fuqizimin e njësisë ekonomike në kuadër të Shërbimit Korrektues. Në bashkëpunim me MPB, është duke u punuar në përgatitjet për funksionalizimin e monitorimit elektronik të të dënuarve ndërsa së shpejti do të funksionalizohen Qendrat e paraburgimit në Gjilan dhe Prishtinë”, tha ministrja.

Ajo po ashtu njoftoi se është aprovuar Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje. /Telegrafi/

 

Exit mobile version