Site icon Telegrafi

Hoxha për debatin Peci – Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme

Analisti politik Ylli Hoxha ka komentuar debatet e fundit që përfshijnë ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, dhe kreun e AKR-së, Behgjet Pacolli.

Hoxha ka theksuar se përmendja e Pacollit nga ministri Peci është e panevojshme, pasi Pacolli, si deputet, ka të drejtë të përfshihet në diskutimet politike.

“Me rëndësi është që ministri të justifikojë proceset që ndodhin në fund të mandatit të tij. Komunikimet me Pacollin janë të kota, sepse ai është deputet dhe ka të drejtë të marrë pjesë në debatin politik, sidomos kur kërkohet llogaridhënie. Përmendja e Pacollit lidhur me çështjen e hetimit të vrasjes është e papranueshme,” tha Hoxha. “Ministrat paguhen për të dhënë llogari për punët e kryera, jo për të devijuar debatin në tema të tjera.”

Duke folur për zgjedhjet e përgjithshme të planifikuara për 9 shkurt 2025, Hoxha nënvizoi se sfida kryesore për Qeverinë Kurti do të jetë përsëritja e rezultateve të vitit 2021.

Nga ana tjetër, për partitë opozitare, veçanërisht PDK-në dhe LDK-në, strategjia e tyre do të përqendrohet te ulja e mobilizimit qytetar.

“Beteja e opozitës do të jetë në drejtim të uljes së daljes së qytetarëve në zgjedhje, pasi vetëm kështu mund të zvogëlohet përkrahja për VV-në,” u shpreh Hoxha. “Zgjedhjet përcaktohen nga temat që qytetarët i konsiderojnë prioritare. Kryeministri Kurti ka të ngjarë të fokusohet te sovraniteti dhe siguria si tema kryesore, ndërsa opozita ka filluar të prioritizojë ekonominë. Sa do të jenë të suksesshëm, kjo do të jetë faktori përcaktues i votës.”

Hoxha gjithashtu vuri theksin te inercia politike, duke theksuar se në çdo zgjedhje ka një vazhdimësi të përkrahjes ose humbje graduale të saj.

“Elementi i inercisë është gjithmonë i pranishëm. Partitë kryesore nuk zhduken menjëherë, ndërsa partitë më të vogla mund të rriten, por jo në mënyrë drastike. Për VV-në, sfida do të jetë ruajtja e rezultatit të 2021-shit. Ndërsa për opozitën, objektivi kryesor është zvogëlimi i VV-së në mënyrë që të pamundësohet krijimi i qeverisë së saj,” u shpreh Hoxha në RTVD.

Exit mobile version