Paraqitja e Alban Hoxhës, portierit të kuq ndaj Ferencvarosit, në Budapest, në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube, Ligën e Kampioneve, ka tejkaluar kufijtë.
Fillimisht nuk munguan shkrimet me superlativa në mediat e huaja, teksa pritja e tri penalltive si dhe ekzekutimi i një të tillë në stilin alla “panenka” u konsideruan një gjë e rrallë, mahnitëse. Por, ky moment duket se do t’i hapë rrugë të reja Hoxhës, në skuadra jashtë vendit, teksa interesimet për të janë intensifikuar tri ditët e fundit.
Nga përtej Adriatikut vijnë lajme shumë tërheqëse për njërin nga tre portierët e kombëtares, pikërisht nga skuadra e një tjetër shqiptari, Elseid Hysaj. Është pikërisht Napoli, klubi i Seria A, ai që ka shfaqur interes për shërbimet e Alban Hoxhës.
Është pikërisht “calcionews24.com”, ajo që në mënyrë ekskluzive e bën me dije këtë, duke shkruar: “Alban Hoxha, portieri i Partizanit të Tiranës, i është ofruar Napolit nga “Football Agents Academy”. Ai është një futbollist shqiptar, portier edhe i kombëtares së Shqipërisë, dhe luan te Partizani. Rreth tij keni dëgjuar shumë, ndoshta, kohët e fundit, sepse portieri Hoxha ishte arkitekti i kalimit të raundit të dytë kualifikues në Champions nga Partizani, kundër Ferencvaros të Hungarisë. Ai priti tri nga katër penalltitë e goditura nga kundërshtarët, pas 120 minutash lojë, ndërsa shënoi një “gol lugë” gjatë ekzekutimit të penalltisë së parë.
Alban Hoxha te Napoli? Sikurse ka mësuar ekskluzivisht “calcioneës24.com”, Alban Hoxha është ofruar nga “Football Agents Academy”për Napolin, klub i cili mund të ketë probleme në derë pas lëndimit të Pepe Reina. Në këtë moment ka një portier të denjë për ta zëvendësuar spanjollin dhe ky mund të jetë Alban Hoxha. Nga Napoli deri tani nuk ka pasur një përgjigje, por ditët e ardhshme, pa dyshim, do të dimë më shumë rreth kësaj tratative”.