Site icon Telegrafi

Hoxha: Nuk e kam pranuar aktakuzën, jam e pafajshme

Ish ministrja për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha (PDK) ka bërë të ditur se nuk e ka pranuar aktakuzën e ngritur ndaj saj për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“Jo nuk e kam pranuar aktakuzën, kur u ngrit aktakuza unë u njoftova nga mediat, nuk kam pranuar njoftim zyrtar nga prokuroria speciale. Mendoj se nuk janë përmbushur as elementet minimale të kriterit të dyshimit të bazuar për ngritje të aktakuzës”, tha Hoxha, në RTV21, duke potencuar se është plotësisht e pafajshme.

Pas aktakuzës së ngritur për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ajo ka bërë të ditur se do t’i përdorë të gjitha instrumentet për të dëshmuar pafajësinë e saj.

“Faktet janë në anën time, do t’i përdori të gjitha instrumentet në dispozicion, nuk do të lejoj që pafajësia ime të shkelet”, tha Hoxha.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër ish ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxhës dhe 4 personave tjerë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Disa nga emrat e të pandehurve përmenden në një hulumtim të rrjetit BIRN në Kosovë, ku thuhet se “në vitin 2019, Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i ka paguar 168,000 euro një kompanie lobimi me seli në Paris, që kishte promovuar idenë se ‘modifikimi i territorit’ mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi”.

Hoxha tha se ajo ka rishikuar mirë çështjen e bashkëpunimit me kompanitë lobuese, përkatësisht, e ka të qartë se pse zgjodhi kompaninë franceze për lobim.

“Po akuzohem se u kam bërë disfavor kompanive franceze, duke specifikuar këtë kompani, kompaninë lobuese duhet me e shiku se a është miqësore ndaj vendit tonë dhe unë atë kam shiku”, tha Hoxha.

Ndër të tjera, Hoxha tha se ato para nuk janë keqpërdorë dhe se çmimi prej 168 mijë eurove është qesharak për lobim për ndarje.

“Me dëshirë do merrja kompaninë e Madeleine Albright ose atë të Bill Clinton por, a kemi në buxhet t’i marrim miqtë e Kosovës, të cilët mund të vijnë për më pak para?”, tha ish ministrja.

Me theks të veçantë tha se shuma prej 168 mijë eurove është qesharake për të lobuar për ndryshim të kufijve.

“Me pas qenë aq e lehtë më lobu për ndarje me 168 mijë euro, krejt shtetet kishin lobu me 168 mijë euro, 200 mijë euro, masi qenka kaq lehtë me i ndryshu kufijtë, atëherë pse Serbia po i jep me qindra miliona euro në vit?”, tha ndër të tjera Hoxha.

 

 

 

Exit mobile version