Imami i xhamisë “Prof. Dr. Bedri Kamberi” në Prishtinë, Labinot Maliqi në ditën e dytë të Bajramit u ka dërguar drekë mysafirëve nga Afganistani.
Dreka u shërbye në Kampin Liya në Bondsteel, ku të pranishëm ishin edhe pjesëmarrës nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Marina Amerikane
“Pata vërtetë nderin, kënaqësinë e privilegjin, që ditën e dytë të Fitër Bajramit të jem në Kampin Liya në Bondsteel, të dërgoj një drekë dhe t’ua shërbejë mysafirëve tanë Afganë, kishte edhe shumë pjesëmarrës të ftuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Marina Amerikane, të cilët bashkë janë duke kryer një punë të jashtëzakonshme.
Sot, ishte një ditë e veçantë e Fitër Bajramit, të cilën do ta mbaj mend gjatë gjithë jetës”, ka njoftuar Maliqi.
Maliqi njihet për raportet miqësore që ka me ambasadorët amerikanë dhe pjesëtarët e KFOR-it.
Mijëra persona kanë arritur të largohen përmes aeroportit të Kabulit në gusht të vitit të kaluar – kryesisht pa kaluar procedurat e verifikimit – derisa më shumë se 60,000 ish-përkthyes dhe aplikues tjerë të vizës kanë mbetur në Afganistan.
Fillimisht në Kosovë kishin arritur 1,286 persona nga Afganistani, mirëpo ndërkohë, një pjesë e tyre janë larguar për në SHBA dhe vende të tjera aleate.
Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku shtetasit afganë janë të lirë të lëvizin jashtë hapësirave ku ata janë të vendosur, për afganët që strehohen në Kosovë ka masa më të rrepta të sigurisë.
Që nga dita e arritjes në territorin e Kosovës, afganët vazhdojnë të jenë të mbyllur në dy kampe, kampin ushtarak amerikan Bondsteel dhe një kamp tjetër afër tij i njohur si kampi ndërtimor Bechtel-Enka.
Që të dy këto kampe janë në afërsi të qytetit të Ferizajt dhe distanca mes tyre është më pak se dy kilometra./Telegrafi/