Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mori pjesë në Konferencën ministrore për çështje evropiane në Vjenë, ku morën pjesë ministrat e Ballkanit perëndimor, nën udhëheqjen e ministrit austriak, Gernot Blümel.
“Pjesë e panelit dhe diskutuese ishte Ministrja Hoxha e cila në fjalën e saj, ceku rëndësinë e bashkëpunimit politik dhe ekonomik për rajonin i cili disponon mundësi të mëdha.
Republika e Kosovës duhet të marrë mbështetje të menjëhershme nga BE-ja për të bërë përparim të mëtejshëm në negociatat tona afatgjata me Serbinë, për një Ballkan më të qetë, më të begatë dhe demokratik, vuri në dukje Ministrja Hoxha dhe shtoi se qytetarët e Kosovës janë më pro BE-së në Evropë, ndërsa është i vetmi vend me regjim të vizave, duke e konsideruar liberalizimin si çështje kyçe për Kosovën”, thuhet në njoftimin për media.
Kur bëhet fjalë për fondet e BE-së nën IPA 3 që mbulojnë periudhën 2021-2027, kërkon vëmendje të veçantë që të përballojë qasjen konkurruese, ceku Ministrja Hoxha dhe ritheksoi përkushtimin për rrugën e integrimit evropian, fuqizimin e shtetit modern të bazuar në normat dhe standardet evropiane.
Ndërsa në panelin e dytë të Konferencës Ministrore për çështje evropiane në Vjenë, Ministrja Hoxha ceku se pjesa më e rëndësishme ku BE-ja duhet të përqendrojë politikën e saj të jashtme, deri në vitin 2025 dhe më tej, është procesi i zgjerimit.
“Politika e zgjerimit të BE-së, duhet të shihet si një mekanizëm për ta bërë familjen e BE-së më të plotë dhe më të qëndrueshme. Unë besoj fort në perspektivën evropiane të vendeve tona dhe pres që kjo të riafirmohet perspektiva dinamike, konkrete dhe të arritshme”, potencoi Hoxha.
Është e qartë se BE ka rregullat e veta për pranimin dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ka ende punë për të bërë me reforma thelbësore që prekin sektorët më të rëndësishëm. Megjithatë, BE duhet të jetë në gjendje të vlerësojë arritjet dhe të japë vendime në përputhje me rrethanat, duke evituar pasigurinë në rajon.
Ekziston nevoja për mënyra të reja për adresimin e problemeve politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, pohoi Ministrja Hoxha, përmes qasjes proaktive, të shpejtë dhe vendimtare, duke mos u bartë ato nga një dekadë në tjetrën si dhe me përgjigje adekuate ndaj kërcënimeve të reja. /Telegrafi/