Me qëllim të njohjes me të arriturat, sfidat dhe situatën në Gjykatat Themelore, thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të ngritjes së besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha zhvilloi të mërkurën vizitë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku është pritur nga kryetarja e kësaj gjykate, Afërdita Bytyçi.
Ministrja Hoxha me këtë rast u zotua se do të jetë e përkushtuar dhe këmbëngulëse në promovimin e të arriturave dhe avokuese e palodhshme e përmirësimit të gjendjes nëpër gjykatat themelore duke theksuar se prioriteti i qëndrueshëm është fuqizimi i sundimit të ligjit në tërësinë e tij.
“Sot, më shumë se kurrë, na duhen gjyqtarë me integritet që me guxim dhe përgjegjësi ligjore ndëshkojnë krimin. Gjyqtari që me guxim ballafaqohet me të gjitha format e korrupsionit, pa dallim se ku shfaqet”, tha Hoxha.
Nga ana e saj, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi vlerësoi lartë vizitën e ministres Hoxha dhe theksoi se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej në të ardhmen.
“Me gjithë sfidat, Gjykata Themelore e Prishtinës ka të arritura të theksueshme; me përgjegjësi është duke përmbushur misionin e vet ligjor, misionin e sundimit të ligjit, transparencës, duke kontribuar kështu në ngritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, theksoi Bytyçi.
Ndryshe, në këtë takim u theksua se procesi euro-integrues është i lidhur ngushtë me fuqizimin e sundimit të ligjit dhe ky sukses është i sigurt vetëm duke zbatuar ligjin. /Telegrafi/