Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha theksoi se me qëllim të ndryshimit të mbarëvajtjes së punës në Ministrinë e Drejtësisë kam instaluar një kulturë të re organizative dhe atë duke e shtrirë në tre parime kryesore: efikasiteti, llogaridhënia dhe transparenca.
Minsitrja Hoxha duke folur në emisionin “PULS” të KTV, e pyetur rreth rastit të ndalimit të Ramush Haradinajt, theksoi se janë marr të gjitha veprimet e nevojshme. “Pas marrjes së informatës mbi ndalimin e Haradinajt, Ministria e Drejtësisë kishte njoftuar fillimisht Ministrinë e Punëve të Jashtme”.
“Si ministre e Drejtësisë, kam dërguar tri shkresa në Ministrinë e Drejtësisë së Francës, duke kërkuar po ashtu lirimin e Haradinajt, por është proces dhe duhet të pritet për të përfunduar procedurat. Letrat kanë qenë të fokusuara mbi atë se pushteti i Serbisë mbi Republikën e pavarur të Kosovës ka përfunduar dhe po ashtu kemi dhënë garanci që Haradinaj është i pafajshëm. Edhe pse INTERPOL-i operon si Agjenci e pavarur, ne kemi bërë të gjitha përpjekjet tona për të pastruar listat nga emrat e zyrtarëve të Republikës së Kosovës, por procedurat janë të rënda dhe serioze”, theksoi ministrja Hoxha.
Në pyetjen rreth lirimit të Haradinajt, ministrja Hoxha u shpreh e përkushtuar se do të lirohet, edhe pse gjyqësori funksionon si i pavarur, edhe pse i tërë procesi ishte politik.
E pyetur rreth rastit të vetëvrasjes së të ndjerit Astrit Dehari, Ministrja Hoxha theksoi se Ministria e Drejtësisë në kuadër të kompetencave te veta ka ndërmarr të gjitha masat e nevojshme dhe ka qenë e përkushtuar për të zbardhur këtë rast.
“Ministria e Drejtësisë ka dhënë leje për dy ekspert të mjekësisë ligjore që të marrin pjesë gjatë ekzaminimit, e po ashtu edhe anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje i është dhënë leje për të marr pjesë në këtë proces”.
Ministrja Hoxha vuri në pah se do të jetë gjithnjë e përkushtuar për të përmirësuar efikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe sundimin e ligjit, njëherit theksoi se do të ketë zero tolerancë ndaj krimit. /Telegrafi/