Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha tha të mërkurën se Ligji për trashëgiminë garanton të drejta të barabarta në Kosovë, si për burrat, ashtu edhe për gratë.
Hoxha tha se nga pozita që mban mundohet ta avancojë pozitën e gruas në shoqëri.
“Ne gratë mund t’ia dalim, mund të bëjmë shumë punë të mira. Pra kjo tregon që gratë kanë lidership. Unë në këtë pozitë që jam përpjekur që më shumë ta promovojë gruan në shoqërinë tonë”, tha ministrja në emisionin e mëngjesit në RTK.
“Gratë janë të prira për rezultate. Kryejnë punë shumë, janë më të shpejta”, ka thënë ajo.
Hoxha ka bërë me dije se do të organizojnë edhe fushata vetëdijesuese për trashëgiminë, pasi sipas saj është e drejtë që u garantohet edhe femrave.
“Nëse gratë kanë pronat e tyre. Nëse ato marrin trashëgiminë që u takon do të zvogëlohet edhe dhuna në familje. Ka pasur shumë raste të grave që kanë qenë subjekt i dhunës”, u shpreh Hoxha.