Site icon Telegrafi

Hoxha kërkon më shumë përkushtim për zbatimin e Agjendës Evropiane të Reformave

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në takimin ministror për integrime evropiane ka diskutuar për raportin përmbledhës të Agjendës Evropiane të Reformave ose ERA 1 si dhe prioritetet e propozuara për ERA 2.

Kryeministri Ramush Haradinaj inkurajoi institucionet ekzekutive dhe resorët ministror për realizimin e prioriteteve dhe planeve të veprimit për ERA 1 dhe angazhim të shtuar për zbatimin e prioriteteve të propozuara për ERA 2.

“Pas përmbylljes së fazës së parë të ERA-s, Kosova po kalon në etapën e dytë të kësaj agjende, duke u përafruar kështu me mekanizmat e Bashkimit Evropian. Kërkoj që ERA2 të jetë e saktë dhe me afate reale kohore në implementim. Dinamizimi i punës dhe thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucionalë është në shërbim të përshpejtimit të rrugës sonë drejt Bashkimi Evropian”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, ministrja Hoxha, vlerësoi punën e bërë për ERA 1 duke vënë në dukje të arriturat dhe proceset që janë në zbatim e sipër.

Në disa veprime ka pasur progres, theksoi Ministrja Hoxha, por nuk mund të konsiderohen të përmbushura po u përmbyllur të gjitha fazat. Në rastet kur veprimet janë miratimi i legjislacionit, nuk mund të themi se veprime të tilla janë përmbushur pa u miratuar legjislacioni në Kuvend si dhe e njëjta vlen edhe për veprime të tjera, ku progresi nuk do të thotë përmbushje.

Ministrja Hoxha ka ftuar të gjithë ministrat dhe përfaqësuesit e institucioneve që të deklarohen nëse kanë ndonjë koment lidhur me raportin e ERA 1, në mënyrë që pas këtij takimi ta finalizojnë këtë raport, i cili do t’i hapte rrugë fillimit të diskutimeve me Zyrën e BE-së për prioritetet e ERA 2.

Hoxha njoftoi se komisioneri evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi Johannes Hahn, do ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit.

Ministrat dhe përgjegjësit e dikastereve, diskutuan për angazhimin e secilit dikaster veç e veç, duke u fokusuar në kohën e mbetur për të maksimalizuar të arriturat e ERA 1 si dhe propozimet për ERA 2. /Telegrafi/

Exit mobile version