Site icon Telegrafi

Hoxha kërkon mbështetjen e Bundestagut gjerman për liberalizimin e vizave





Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë vizitës në Berlin, u prit nga kryetari i Komisionit të bundestagut gjerman për çështjet e Bashkimit Evropian, Gunther Krichbaum dhe diskutoi për nevojën e mbështetjes së mëtejme nga Gjermania për çështjet integruese, në veçanti liberalizimin e vizave.

Hoxha theksoi se liberalizimi i vizave ndikon fuqishëm në realizimin e prioriteteve institucionale të Republikës së Kosovës, këmbimin e përvojave të rinisë tonë, komunikimin dhe aftësimin duke ngritur konkurrueshmërinë e kompanive vendore por edhe të perspektivës së gjithanshme me ndikim në zbatimin e MSA-së dhe reformat e parapara me rekomandimet e Brukselit.

“Përkrahja e Kosovës nga Gjermania, në veçanti nga Komisionet e Bundestagut dhe rekomandimet pozitive në Parlamentin Evropian kanë rëndësi të veçantë për proceset që po kalon vendi ynë. Unë e sigurova Kirchbaum se nuk do të lejojmë që lëvizja e lirë të dëmtohet nga askush, ngase legjislacioni dhe institucionet për respektimin e tyre, kanë kompetencën e duhur për këtë çështje”, theksoi Hoxha.

Ministrja e Integrimit Evropian po ashtu pati takim në Ministrinë federale për Bashkëpunim me Heike Backofen-Warnecke, zëvendës/shefe e Divizionit për Evropën Juglindore, Lindore dhe Kaukazi i Jugut, me të cilën diskutoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.

Hoxha theksoi të arriturat dhe sfidat e procesit integrues, në veçanti përkrahja për zhvillim që i vjen Republikës së Kosovës nga Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, realizimin e MSA-së dhe Reformën Evropiane të Reformave.

“Bashkëpunimi dhe përkrahja që i vjen Kosovës nga Gjermania është shumë e mirëseardhur dhe kemi një përvojë të mirë, në funksion të prioriteteve të Kosovës drejt integrimit në BE. Prioritet tona, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, të drejtat e njeriut, arsimi, administrata publike si dhe energjia, gjejnë hapësirë të mjaftueshme në këtë bashkëpunim”, theksoi Hoxha.

Heike Backofen-Warnecke, vlerësoi të arriturat e Kosovës në procesin integrues, duke vënë në pah, gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit ndërministror dhe ndërqeveritar.

Ajo theksoi edhe rëndësinë e protokollit të konsultimeve të Bashkëpunimit për Zhvillim ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, të nënshkruar kohë më parë dhe i cili pritet të zbatohet në pjesën e dytë të këtij viti. /Telegrafi/

 

Exit mobile version