Analisti Ylli Hoxha ka thënë se “nga e kaluara është parë se kur BE has në rezistencë të palës serbe, kryesisht e akomodon atë” gjersa ka theksuar se roli i vërtetë i çështjes së targave është parë. Sipas Hoxhës, këto të fundit janë një instrument i ndikimit në procesin e dialogut.
Analisti Ylli Hoxha ka thënë se ndonëse duket si vendim naiv, implementimi i vendimit nuk është një i tillë.
I ftuar në Debat Plus të RTV Dukagjinit, Hoxha ka thënë se çështja e targave dhe gjobave mbi ato ilegale, tregon një lloj force.
“Targat janë si presion kundër status quo-së. Duket si vendim naiv por implementimi i vendimit nuk është naiv, nënkupton forcë policore, nënkupton shtet në veri”, ka deklaruar Hoxha gjersa ka theksuar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është munduar të cenojë status quo-në rast të dështimit të procesit kryesor, planit franko-gjerman.
Krahas kësaj, Hoxha ka thënë se nga e kaluara është parë se “kur BE has në rezistencë të palës serbe, kryesisht e akomodon atë” gjersa ka theksuar se roli i vërtetë i çështjes së targave është parë. Sipas Hoxhës, këto të fundit janë një instrument i ndikimit në proces.
Ajo që është shqetësuese sipas Hoxhës, mbetet deklarata e tij për Borrellin.
Kryeministri i Kosovës e ka kritikuar kryediplomatin evropian, Josep Borell, duke thënë se në takimin e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, e ka braktisur idenë e planit franko-gjerman.
Të hënën e 21 nëntorit, në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar tri takime trilaterale dhe tri takime bilaterale përgjatë tetë orëve me presidentin e Serbisë në ndërmjetësimin apo lehtësimin e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell dhe emisarin special për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Nga takimi në Bruksel nuk pati asnjë marrëveshje. Më vonë në po të njëjtën ditë, SHBA-të kërkuan nga Qeveria e Kosovës që e njëjta të shtyjë për 48 orë vendosjen e gjobave për t’i lejuar BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të angazhojnë më tej palët për të gjetur një zgjidhje, kërkesë kjo e pranuar nga Kryeministri Kurti.