Telegrafi

Hoxha: Jemi gati t’i zbatojmë rekomandimet e agjendës evropiane

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha të premten se procesi i integrimit evropian mbetet një nga qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës.

Hoxha këto komente i bëri në promovimin e Raportit të Agjendës Evropiane të Reformave të hartuar nga grupi hulumtues Balkans Policy Research Group (BPRG), ku morën pjesë kryeministri Haradinaj, Ambasadorja e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, ministra dhe ekspertë e përgjegjës institucionesh për procesin integrues.

“Në raportin e publikuar sot, njëra ndër rekomandimet e para ishte edhe caktimi i prioriteteve për vitin 2018”, theksoi ministrja Hoxha dhe vuri në dukje punën intensive me Zyrën e Kryeministrit që të përshpejtohen proceset integruese dhe te intensifikohet puna e institucioneve.

“Procesi i integrimit evropian mbetet një nga qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës. Qëllimi i shoqërisë sonë, dhe rrjedhimisht detyra jonë si përfaqësues politik mbetet vazhdimi i konsolidimit demokratik, ngritja e nivelit të sundimit të ligjit dhe e respektimit të të drejtave të njeriut si dhe ndërtimi i një ekonomie të tregut funksionale. Ne i konsiderojmë vlerat evropiane si tona, dhe rrugëtimi jonë nuk është i plotë pa u bashkuar në familjen evropiane”, theksoi Ministrja Hoxha.

“Ne duhet të tregojmë përkushtim dhe seriozitet në zbatimin e prioriteteve, duke promovuar qeverisjen e mirë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, duke mbrojtur konkurrueshmërinë, duke përmirësuar klimën e investimeve si dhe avancimin e politikave të punësimit dhe arsimit të lartë. Agjenda Evropiane e Reformave do të jetë dokumenti bazë i cili do të sjell reformat e kërkuara dhe rrjedhimisht zbatimin e prioriteteve të caktuara”, theksoi Ministrja Hoxha, dhe shtoi se procesi i integrimit evropian kërkon kontributin e të gjithë neve duke përfshirë edhe qytetarët e Kosovës, andaj le të punojmë së bashku në rrugën tonë drejt familjes evropiane. /Telegrafi/