Rrjeti i Grave të “Business Forum Prizren”, ka organizuar mbledhjen e radhës me temën: Fuqizimi i grave në vendimmarrje, ku ishin të pranishme Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, aktivistja e te drejtave të grave dhe këshilltarja politike, Valdete Idrizi, nënkryetarja për Komunitete, Komuna e Prizrenit, Memnuna Ajdini, si dhe anëtare të këtij forumi dhe aktiviste nga Prizreni dhe më gjerë.
Në fjalën e saj, Ministrja Hoxha potencoi se “gratë në vendimmarrje duhet të jenë rregull, jo përjashtim. Fuqizimi i grave në vendimmarrje do të jetë vlera më e qëndrueshme për proceset që po kalojmë, deri në integrimin e plotë euro-atlantik”.
Ajo ka vënë në dukje se “duhet të japim shembuj se vërtetë duam edhe familje edhe shtet me shtylla të forta. Thjeshtë, zgjidhja është e lehtë, duke u fuqizuar gratë në vendimmarrje”.
Postimi i plotë:
Rrjeti i Grave në Biznes, në takimin e organizuar në Prizren, me titull “Fuqizimi i grave në vendimmarrje”, diskutuam për të arriturat dhe sfidat e grave, në kuadër të proceseve që po kalon vendi.
Barazia gjinore, është vlerë thelbësore e demokracisë, andaj gratë në vendimmarrje, janë pjesë e të arriturave të çdo shteti demokratik. Gratë në vendimmarrje duhet të jetë rregull, jo përjashtim. Fuqizimi i grave në vendimmarrje do të jetë vlera më e qëndrueshme për proceset që po kalojmë, deri në integrimin e plotë euro-atlantik.
Gratë, janë shtyllë e shtëpisë dhe shtetit. Kjo nuk do mend, por duhet të japim shembuj se vërtetë duam edhe familje edhe shtet me shtylla të forta. Thjeshtë, zgjidhja është e lehtë, duke u fuqizuar gratë në vendimmarrje!