Site icon Telegrafi

Hoxha: Ftoj viktimat e krimit të paraqesin kërkesën për kompensim

Ministria e Drejtësisë në mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka lansuar programin për kompensimin e viktimave të krimit.

Gjatë lansimit të këtij programi, ministrja Hoxha theksoi  se viktimat së paku duhet të përkrahen moralisht dhe të mos mendojnë se krimi mbizotëroi mbi njerëzoren.

Hoxha tha, “puna dhe procesi për kompensim të viktimave të krimit, ka filluar vite më parë, ku  Ministria e Drejtësisë, në Planin Zhvillimor Strategjik për vitin 2012-2016, kishte paraparë që të rregullohet kjo çështje”. Për rregullimin e kësaj çështje, Ministria e Drejtësisë ka vepruar në pajtim me mandatin e përcaktuar më legjislacionin në fuqi, fillimisht duke analizuar me hollësi çështjen e kompensimit të viktimave të krimit dhe me pas ka hartuar dhe miratuar Koncept Dokumentin, nga i cili ka rrjedhë Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit, i cili është miratuar në vitin 2015.

“Programi të cilin po e lansojmë sot, ju garanton mundësi për kompensim viktimave të krimit, përkatësisht viktimave të veprave penale si: vrasja; trafikimi me njerëz;  dhunimi;  keqpërdorimi seksual i fëmijëve; si dhe veprat penale që bien brenda përkufizimit të dhunës në familje sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje”, tha ministrja Hoxha.

Hoxha, iu drejtua qytetarëve të Republikës së Kosovës duke  u bërë thirrje të gjithëve që të ngritin zërin kundër krimit, kundër të keqes dhe të mos kenë frikë. Zëri i viktimave të krimit le të jetë zëri i të gjithë neve për drejtësi dhe barazi, për vlerat kundër të këqijave, për paqen dhe barazinë kundër krimit dhe padrejtësive.

“Si përgjegjës duhet të ndërmarrim masat që t’i mbrojmë viktimat e krimit me të gjitha mjetet institucionale .Ata do ta kenë përkrahjen tonë. U bëjë thirrje të gjithëve që ta ngritin zërin kundër krimit. E drejta për të parashtruar kërkesë për kompensim po fillon, andaj inkurajoj që viktimat për të cilat ka përfunduar procesi gjyqësor t’i drejtohen komisionit për kompensim të viktimave”, ka theksuar ajo.

./Telegrafi/

Exit mobile version