Në konferencën përmbyllëse të organizuar për “Përgatitjen e projekteve për Ministrinë e Integrimit nga Bashkimi Evropian (Project Preparation Facility)”, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, theksoi se për më shumë se dy vjet e gjysmë, Kosova kishte përkrahje me ekspertizë nga projekti dhe vlerësoi lartë kontributin e këtij projekti.
“Ka përfunduar procesi i programimit të IPA 2017 e financuar nga BE-ja me 73 milionë euro dhe IPA 2018, me 90.5 milionë euro. Ndërsa, janë përgatitur edhe programet IPA 2019 dhe IPA 2020, me financim nga BE-ja me rreth 200 milionë euro”, tha ministrja Hoxha dhe shtoi se këto fonde, nga 2014 deri më 2020, pritet të arrijnë 600 milionë euro.
Këto fonde, sipas ministres Hoxha, do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve duke ndihmuar përmirësimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, duke ndihmuar sektorin e arsimit dhe punësimit, duke përmirësuar infrastrukturën publike dhe zhvillimin ekonomik.
Nga viti 1999 deri më 2008, BE-ja, ka kontribuar për rindërtimin e Kosovës, me rreth 1 miliardë euro, si dhe për ngritjen e institucioneve të Kosovës gjatë asaj periudhe.
Ministrja Hoxha falënderoi Zyrën e BE-së në Kosovë, dhe të gjithë partnerët nga ambasadat dhe donatorët, të cilët kanë punuar ngushtë me neve për të ndihmuar vendin tonë të zhvillohet dhe të afrohet më tutje me BE-në, si qëllimi i yni i përbashkët.
Në fund, u shfaqen disa video që tregojnë ndihmën e BE-së për Kosovën. /Telegrafi/