Në rast se Marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ratifikohet brenda kësaj jave, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se mund t’i arrijnë afatet kohore, për të hyrë në agjendën e institucioneve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që gjatë këtij viti të arrihet një rezultat konkret lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.
Megjithatë, përveç ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, Kosova duhet ta përmbushë edhe kushtin për sundimin e ligjit dhe rezultatet konkrete në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, thotë se që nga viti 2015 kur Kosova ka qenë pozitivisht e vlerësuar lidhur me këtë kusht, trendi i njëjtë i përparimit në këtë fushë, sipas saj ka vazhduar edhe në vitet që pasuan.
“Nëse e shohim raportin në vitin 2016, në vitin 2017 dhe tani në dy muajt e fundit, ka një progres të vazhdueshëm. Kuptohet që ne jemi në vazhdimësi duke raportuar, sepse çdo muaj raportojmë për këtë kusht dhe besoj që sa i përket çështjes për liberalizim të vizave, është bërë një progres shumë i mirë”, ka thënë ministrja Hoxha.
Sidoqoftë, autoritetet e Kosovës po bëjnë përpjekje që ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, të ndodhë brenda kësaj jave, në mënyrë që ta dorëzojnë raportin tek institucionet përkatëse evropiane, për të hyrë në agjendën e mbledhjes së Këshillit Evropian, e cila pritet të mbahet në javën e parë të muajit mars. /Telegrafi/