Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha ka thënë se në hetimet e bëra nga institucionet e Kosovës, emri i Florim Ejupit nuk figuron si i dyshuar i mundshëm i përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit.
Hoxha, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se ka mbi një vit që ai e ka në dorë hetimin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe se deri tani emri i Florim Ejupit nuk është ndërlidhur ndonjëherë më këtë rast.
“Askund në shkresat tona zyrtare të policisë apo të ndonjë dëshmitari tjetër të cilët vetëm i kemi intervistuar në këtë rast, nuk kemi hasur këtë emër”.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, thotë se as emri i personit tjetër i përmendur nga Vuçiq nuk është hasur si i përfshirë i mundshëm në këtë rast.
Ai ka thënë se Kosova ka kërkuar vazhdimisht bashkëpunim dhe informata nga organet e Republikës së Serbisë për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, por sipas tij bashkëpunimi i tyre nuk ka qenë i plotë.
“Organet e Republikës së Serbisë lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit na i kanë dërguar disa informata gjysmake edhe pse ne kemi njohuri se ata mund të kenë informacione lidhur me këtë rast duke pasur parasysh qasjen e Serbisë në veri”.
Hoxha ka thënë se për Kosovën është e habitshme që Serbia ka kërkuar informacione nga Aeroporti i Rinasit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
“Ne nuk kemi hasur në informacione se dikush që mund të ketë qenë i përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit të jetë larguar nga Kosova në drejtim të Aeroportit të Rinasit”.
Ai ka thënë se nuk është njoftuar as nga kolegët e Republikës së Shqipërisë se Serbia është duke kërkuar informacione për të implikuar të mundshëm në vrasjen e Ivanoviqit./Telegrafi/