Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, mori pjesë në tryezën në të cilën është prezantuar Raporti vjetor i Fondit për të Drejtën humanitare, me titull “Koha kalon, drejtësia për krimet e luftës zbehet”, të mbështetur nga Ambasada e Britanisë së Madhe, ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori O’Connell.
Ministrja Hoxha ka falënderuar të gjithë ata të cilët kontribuuan në hartimin e raportit i cili padyshim se do të ndihmojë Institucionet e Kosovës në luftën e tyre kundër kriminalitetit në përgjithësi, e veçanërisht në luftën kundër krimeve të motivuara etnikisht dhe politikisht si dhe në trajtimin e krimeve të luftës.
Sa i përket krimeve të luftës, Hoxha tha se është e dhimbshme për të gjithë neve që edhe pas 18 vitesh nga mbarimi i luftës, nenave, baballarëve, motrave, vëllezërve, bashkëshortëve e fëmijëve u mungon e vërteta. Prandaj, duhet të japim përgjigje në pyetjet që sjellin të vërtetën.
“E vërteta është më e pakta që duhet ta kenë në këtë dhimbje: çka dhe pse ndodhi? Si humbёn ata qё humbёn? Ku mbetёn familjarёt e tyre? Si do t’ia bёjnё pёr tё ecur pёrpara? A do të ndëshkohet dikush që vrau pamëshirshëm familjarin e tyre vetëm sepse fliste gjuhën tjetër, i përkiste kombit tjetër?”, theksoi ministrja Hoxha, transmeton Telegrafi.
Ajo tha se “nuk thuhet kot se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Andaj të punojmë të gjithë së bashku që të mos iu mohohet drejtësia viktimave të këtyre krimeve dhe ftoi institucionet e gjyqësisë të kryejnë punën e vet me prioritet të veçantë për dënimin e autorëve të krimeve të luftës të kryera në Kosovë”.
Ambasadori britanik Ruari O’Connell, i cili shprehu gatishmërinë e përkrahjes për shkak të mungesës së përvojës së gjyqësisë së Kosovës lidhur me këtë fushë duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm që duhet të bëhet nga institucionet vendore në këtë drejtim. /Telegrafi/