Telegrafi

Hoxha: Digjitalizimi i shërbimeve gjyqësore sukses i sistemit të drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka vizituar sot, Gjykatën Themelore në Gjakovë dhe me këtë rast u prit nga Kryetari i Gjykatës Themelore, Vaton Durguti me bashkëpunëtorë.

Ministrja Hoxha, diskutoi për prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, me theks të veçantë thellimin e bashkëpunimit brenda institucional në sistemin e drejtësisë, si dhe procesin e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit.

“U informuam për punën e kësaj gjykate, numrin e lëndëve, stafin, sukseset dhe sfidat. Bashkëpunimi ynë ndërinstitucional është ngushtë i lidhur me fuqizimin e sundimit të ligjit, transparencën dhe llogaridhënien, në funksion të të cilave është rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit. Andaj, ju ftoj të kontribuoni për këtë proces që është tepër i rëndësishëm. Fuqizimi i sundimit të ligjit mbetet prioritet yni i qëndrueshëm në proceset ku ndodhemi dhe nga po shkojmë”, theksoi ministrja Dhurata Hoxha, sepse, theksoi ajo, fuqizimi i sundimit të ligjit është pa alternativë.

Po ashtu, Ministrja, theksoi se të gjithë duhet të jenë pjesë aktive gjatë rishikimin funksional të legjislacionit duke kontribuuar me përvojat që hasen gjatë zbatimit të ligjeve, duke evidentuar mangësitë dhe duke kontribuuar që ato të mënjanohen.

Kryetari i Gjykatës Themelore, Vaton Durguti vuri në dukje se kjo vizitë i kontribuon komunikimit ndërinstitucional, thellimit të bashkëpunimit brenda sektorit të sundimit të ligjit, njohjen me çështjet dhe sfidat e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe kahet e zhvillimit të sektorit të Drejtësisë.

Në takim, Ministrja përgëzoi drejtuesit e Gjykatës për ecurinë e procesit të Digjitalizimit të shërbimeve gjyqësore që pritet të funksionalizohet në të gjitha gjykatat e Kosovës, me ndihmën e Qeverisë norvegjeze. Po ashtu, në takim u diskutua për ndryshimet e synuara në legjislacionin ekzistues, vështirësitë e zbatimit të disa sanksioneve, përfaqësimin në trupat punuese dhe çështjet tjera që lidhen me ngritjen e efikasitetit të gjykatave por edhe për ngritjen e perceptimit pozitiv të qytetarëve të punës së gjyqësorit. /Telegrafi/