Site icon Telegrafi

Hoxha: Deri në fund të majit të zbatohen detyrat dhe obligimet e Agjendës Evropiane

Ministrja e Integrimit, Dhurata Hoxha në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka ftuar kabinetin qeveritar për zbatimin e prioriteteve të agjendës Evropiane.

Hoxha ka kërkuar që deri në fund të muajit maj t’i kryejnë detyrat dhe obligimet që dalin nga prioritetet e Agjendës për Reforma Evropiane.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, së pari ka prezantuar çështjen me fokus në zbatimin e prioriteteve të agjendës evropiane, me aktivitetet prioritare që duhet të përfundohen gjatë muajit maj.

Shumica dërrmuese e këtyre aktiviteteve janë detyrime që dalin nga zbatimi i Agjendës për Reforma Evropiane (ERA).

Ajo tha se miratimi i strukturës organizative të KIESA-s dhe themelimi i Bordit të saj në kuadër të shtyllës së dytë të ERA-s, kërkon promovimin e investimeve të huaja direkte.

“Të miratohet në Qeveri Plani i Veprimit për zbatimin e Strategjisë për Luftimin e Ekonomisë Joformale, Të përfundohet vlerësimi i rrezikut për sektorin e OJQ-ve”, theksoi Hoxha.

Më pastaj, Hoxha ka prezantuar për miratim edhe Strategjinë e Komunikimit dhe Informimit në mbështetje të procesit të integrimit Evropian të Kosovës 2018-2021.

Ministrja ka prezantuar për miratim në parim nismën për lidhjen e Marrëveshjes financiare trepalëshe mes BE-së, Kosovës dhe Maqedonisë për vitin 2017, për zbatimin e programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar që financohet në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA) në mes Kosovës dhe Maqedonisë.

“Presim që kjo marrëveshje të hap rrugën për promovimin e zhvillimit ekonomik të zonave kufitare të Kosovës me Maqedonisë. Prandaj, ju ftoj që të miratoni nismën në fjalë, ashtu që të vazhdojmë me hapat e tjerë në drejtim të hapjes së mundësive që Kosova të përfitojë nga ana e fondeve të parapara në kuadër të fondeve IPA për bashkëpunim ndërkufitar”, theksoi Hoxha.

Ministrja po ashtu për miratim ka paraqitur nismën për nënshkrimin e marrëveshjes financiare trepalëshe mes Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Shqipërisë për vitin 2017, për zbatimin e programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar që financohet në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA) 2014-2020 në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. /Telegrafi/

Exit mobile version