Site icon Telegrafi

Hoxha: Çmimi blerës i duhanit nuk do të jetë nën 180 denarë

Të hënën, në takim me Lidhjen e Prodhuesve të Duhanit, Bordin i cili organizon protesta dhe kompanitë blerëse, do të përcaktohet metodologjia e saktë për shpërndarje të ndihmës prej pesë milionë euro për kultivuesit e duhanit, të parapara me pakon e pestë të masave antikrizë, tha sot ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arianit Hoxha.

Qëllimi i këtyre mjeteve, theksoi Hoxha, është që të përmbushet premtimi i para një muaji – se çmimi blerës i duhanit nuk do të jetë nën 180 denarë për kilogram.

“Ajo është korniza e mjeteve të cilat janë siguruar. Të hënën kemi takim me Lidhjen e Prodhuesve të Duhanit, Bordin i cili organizon protesta dhe kompanitë blerëse dhe atëherë do ta përcaktojmë metodologjinë e saktë se si do të bëhet kjo. Por, atë që e premtuam para një muaji, se çmimi mesatar nuk do të jetë nën 180 denarë, me këto mjete do të tentojmë t’i ndihmojmë kultivuesve të duhanit për shkak të vitit të rëndë”, theksoi ministri, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kolektive në MBPEU.

Hoxha informoi se për blerje kanë mbetur edhe 1.500 tonë duhan. Prioritet për momentin është marrja e këtyre, sasive të dakorduara, ndërsa pastaj do të përcaktohet edhe mënyra për blerjen e tepricave.

“Blerja e prodhimtarisë së dakorduar do të duhej të përfundojë deri të hënën. Pastaj, siç përcaktuam në mbledhjet e kaluara të përbashkëta, do të konfirmojmë se si duhet të blihet teprica, për çka u angazhuan edhe kompanitë blerëse, ndërsa a do të ketë nevojë për vazhdimin e afatit ligjor do të vendoset në takimin e së hënës dhe në bazë të asaj do të ndërmerren masa konkrete”, sqaroi Hoxha.

Exit mobile version