Site icon Telegrafi

Hoxha: Anëtarësimi në BE, qëllim strategjik i Kosovës

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë në konferencën ministrore të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim ekonomik (OECD) që po mbahet në Paris, se qëllimi strategjik i Kosovës është të bëhet anëtare e BE-së.

Ajo gjatë kësaj konference diskutoi për temën e sesionit plenar: Si duhet të transformohet administrata publike për t’u dhënë shërbime qytetarëve në kohë sfiduese?

“Në dritën e këtij qëllimi, administrata publike kërkon nivelin e modernizimit që do të mundësojë bashkëveprim më të mirë mes njerëzve dhe Qeverisë. Në kohërat sfiduese që po kalojmë dhe në përdorimin gjithnjë në rritje të teknologjisë së informacionit, ne kërkojmë të krijojmë një strukturë ku shërbimet ndaj qytetarëve tanë, të jenë të arritshme lehtë dhe në çdo kohë”, theksoi Hoxha.

Pasi foli për historinë e re të Republikës së Kosovës, ministrja Hoxha, theksoi se administrata publike e modelit evropian, duhej të ndërtohej nga e para, duke krijuar një situatë të re për të vijuar me theks për rëndësinë e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Detyrat që vijnë nga MSA-ja janë të paimagjinueshme pa rritur kapacitetet e institucioneve të administratës publike dhe nëpunësve civilë për të planifikuar, zbatuar dhe monitoruar politikat dhe ligjet duke përfshirë rregullimin efektiv dhe ofrimin e shërbimeve publike efikase të orientuara nga qytetarët”, tha Hoxha.

Për këtë qëllim, vuri në dukje ministrja Hoxha, u soll paketa e tri ligjeve. Megjithëse ende është në proces të finalizimit, Ligji për Organizimin e Administratës Publike, Ligji për Shërbimin Civil dhe Ligji për Pagat, si një pako ligjesh me synimin e trajtimit të barabartë, të drejtë, transparent dhe të përgjegjshëm të administratës publike.

“Sfidat e sotme po ashtu na shtyjnë që Kosova të lëvizë drejt qasjes gjithëpërfshirëse të qeverisë e cila është ende në një fazë të hershme, por përfshin reforma të tilla si racionalizimi i agjencive autonome dhe gjysmë autonome në vend. Ofrimi i shërbimeve publike në nivel qendror dhe lokal qëndron në mesin e çështjeve prioritare brenda kuadrit strategjik aktual qeveritar”, tha Hoxha.

Ajo tha se Kosova është në prag të fillimit të një programi të parë për mbështetjen e sektorit buxhetor të BE-së në reformën e administratës publike.

“Ne kemi negociuar me BE-në, për një pako reformash që do të zhvillohen në 3 vitet e ardhshme që do të mbështeten me 22 milionë euro drejtpërdrejt nga buxheti. Një nga kërkesat e këtij programi është burokracia e cila reduktohet me zvogëlimin e lejeve dhe licencave të pajustifikuara të aplikuara nga institucionet e administratës publike”, tha Hoxha.

Në këtë konferencë po merr pjesë edhe ministri i Inovacionit.

Exit mobile version