Telegrafi

Hovenier dhe Gjini diskutojnë për rritjen ekonomike në Gjakovë dhe përfshirjen e komuniteteve

Gjatë ditës së sotme në Komunën e Gjakovës, për vizitë ka qëndruar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, i cili është pritur nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Pas një takimi i cili është zhvilluar në mes të kryetarit Gjini, dhe ambasadorit Hovenier, ky i fundit u është drejtuar mediave, ku ka folur rreth qëllimit të vizitës së tij në Gjakovë.

“Me të vërtëtë gjithmonë është kënaqësi që të kemi rastin të vijmë në Gjakovë, dhe të takohem me mikun tim të mirë, kryetarin e Komunës, Ardian Gjini. Më herët gjatë ditës e kemi pasur rastin të fillojmë vizitën tonë ashtu siç e kishim planifikuar, përmes një takimi që e kemi pasur me përfaqësues të komuniteveve romë, ashkali dhe egjiptian, dhe gjithashu patëm rastin të bisedojmë edhe me kryetarin e Komunës, dhe pastaj do të kemi rastin që të shkojmë në një ceremoni të përurimit të një fabrike të re, të një qendre të re të trajnimit, kompanisë “Rroni Fer” hapja e së cilës është mundësuar edhe përmes teknologjisë së blerë nga ShBA, që do të mundësojë rritje ekonomike, dhe përparim për Kosovën”, tha Hovenier, raporton Telegrafi.

Hovenier po ashtu deklaroi që është kënaqësi ta vizitojmë Gjakovën, një qytet ku të gjithë njerëzit ndihen të barabartë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

“Është gjithmonë kënaqësi dhe ndihem shumë mirë kur e vizitoj Gjakovën, sepse është një qytet që është i hapur edhe ndaj të tjerëve, dhe gjithashtu ofron mundësi të mëdha për intvestime, rritje ekonomike, dhe vende të punës, por ofron mundësi edhe për të tjerët pamarrë parasysh se nga janë.”, tha Hovenier gjatë vizitës së tij në Gjakovë./Telegrafi/