Site icon Telegrafi

Hoti zotohet për luftimin e krimit dhe çrrënjosjen e korrupsionit

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Kishnicës, ka premtuar barazi për të gjithë qytetarët, luftimin e krimit dhe çrrënjosjen e korrupsionit.

“Nuk mund të tolerojmë që e ardhmja jonë të rrezikohet nga krimi dhe korrupsioni. Krimi dhe korrupsioni nuk është luftuar asnjëherë më shumë sesa nga Qeveria e kaluar. Por, kjo nuk është e mjaftueshme. Gjatë mandatit katërvjeçar ne do ta çrrënjosim korrupsionin dhe paprekshmërinë e individëve para ligjit”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se Kosova jonë dhe e ardhmja e fëmijëve tanë nuk mund të ndërtohet nga ata që janë mbi ligjin dhe nga ata që kanë probleme me biografinë e tyre.

“E ardhmja e Kosovës ndërtohet nga koalicioni ynë i djathtë me duar të pastra. Ne do ta marrim besimin e qytetarëve për ta pastruar atdheun tonë nga krimi dhe korrupsioni”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së dhe kryeministri në largim, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria Hoti do t’ju shërbejë me nder dhe do t’i trajtojë me dinjitet të gjithë qytetarët pa dallim.

“Koalicioni i fitores së madhe të 11 qershorit është alternativa e vetme që ka dëshmuar dhe që garanton ç’kapjen e shtetit. Përmes luftës pa kompromis kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe nëpërmes vendosjes së sundimit të rendit dhe ligjit”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se “koalicioni i fitores që kemi ndërtuar ne, i ka frikësuar oponentët politikë”.

“Ne, AKR-ja, kemi vendosur të mbështesim profesorin e nderuar Avdullah Hoti për kryeministër të Kosovës. Do ta mbështesim me të gjitha mundësitë tona, sepse Kosova e meriton një kryeministër të tillë. 11 qershori do të jetë ditë madhështore; duhet të dalim të gjithë – të votojmë dhe ta kthejmë Kosovën në një shtet madhështor”, ka thënë Pacolli. /Telegrafi/

Exit mobile version