Telegrafi

Hoti: Zgjatet lirimi nga TVSH-ja e importeve

Qeveria miratoi rekomandimin për Kuvend për zgjatjen e periudhës kalimtare të lirimeve nga tatimi i vlerës së shtuar (TVSH) për importet e furnizimit, duke filluar nga 1 janar deri 31 dhjetor 2015.

Në këtë listë janë lëndët e para dhe makineritë bujqësore, sistemi i ujitjes së tokave bujqësore, furnizimet e financuara nga donatorët në mbështetje të projekteve humanitare, rindërtuese dhe të integrimeve evropiane, si dhe furnizimet e bëra nga organizatat ndërkombëtare dhe ndërqeveritare.

Ministri i Financave të Kosovës Avdullah Hoti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë për sivjet, u shpreh i sigurt se lirimi nga TVSh-ja për importet e furnizimit nuk do të ketë ndikime buxhetore.

Ai e arsyetoi këtë kërkesë me faktin se praktika e këtillë e deritashme ka ndikuar në rritjen e prodhimit bujqësor.

“Në importet e furnizimit për të cilat kërkohet lirimi nga TVSh-ja përfshihen lëndët e para dhe makineritë bujqësore, sistemi i ujitjes së tokave bujqësore, furnizimet e financuara nga donatorët në mbështetje të projekteve humanitare, rindërtuese dhe të integrimeve evropiane, si dhe furnizimet e bëra nga organizatat ndërkombëtare dhe ndërqeveritare”, tha ai.

Hoti thotë se kanë bërë analiza për efektet ekonomike dhe sociale të këtij vendimi, dhe pavarësisht që nuk ka të dhëna të sakta, thotë se ka pasur rritje të prodhimit bujqësorë dhe sipërfaqeve bujqësore si rezultat i këtij vendimi.

Ai është i sigurt se ky vendim nuk do të ketë ndikim në buxhet dhe se ka arsyeshmëri të mjaftueshme ekonomike dhe sociale për zgjatjen e periudhës kalimtare.

“Nuk është llogaritur nga 2010 e këndej të hyrat buxhetore për këto produkte, në këtë rast ne mund të flasim vetëm për efektet potenciale buxhetore që vlerësohet të jenë rreth 7.2 milionë euro në formë të TVSH-së që do të mund të mblidheshin nga importi i këtyre mallrave me një total 44. 8 milionë euro si TVSH”, tha Hoti.

Qeveria sot gjithashtu miratoi vendimin përfundimtar për shpronësimin dhe krijimin e së drejtës për interes publik të pronave të paluajtshme dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i trasesë për vendosjen e tubacioneve të ngrohjes nga Ndërmarrja Publike Ngrohtorja e Qytetit “Termokos” Prishtinë deri te Termocentrali Kosova B, në zonat kadastrale të komunës së Obiliqit.

Edhe pronat të cilat preken nga ndërtimi i Linjës Energjetike 400kV Kosovë-Shqipëri, Segmenti i II-të, në zonat kadastrale në komunën e Drenasit, do të shpronësohen sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Në funksion të realizimit të këtij projekti të rëndësisë strategjike, është miratuar edhe vendimi për shpronësime të pronave të paluajtshme, në Segmentin e III-të i ndërtimit të Linjës Energjetike 400kV Kosovë-Shqipëri, në zonat kadastrale të komunave Deçan, Junik dhe Gjakovë. /Telegrafi/