Site icon Telegrafi

Hoti, Vulinit: Mos e bartni më në shpirt e mbi supet e Serbisë të kaluarën mitologjike

Nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti, i është kundërpërgjigjur ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandër Vulin, për deklaratat e tij se Kosova s’ka mundësi ta formojë ushtrinë. Hoti ka thënë se Vulin është duke gënjyer.

Lexo po ashtu Vulin: Në Kosovë nuk mund të ketë ushtri tjetër, përpos KFOR-it

“Një përgjigje Ministrit të Mbrojtjes së Serbisë z. Aleksandër Vulin,

Është e vështirë të kalojë një javë në Ballkanin Perëndimor e të mos vjen së paku një kërcënim a ndërhyrje e shtetit fqinj, Serbisë, ndaj Republikës së Kosovës.

Kësaj radhe na çon porosi Ministri i Mbrojtës i Serbisë, Aleksandër Vulin, duke na përkujtuar se me ministrat serbë në qeverinë e Prishtinës është e pamundur formimi i ushtrisë së Republikës së Kosovës.

Serbia po vazhdon të ngecë në drejtim të integrimeve drejt BE-së, drejt bashkëpunimit rajonal e fqinjësor kur është në pyetje çështja e Republikës së Kosovës dhe kur është në pyetje orientimi i saj nga Rusia apo Perëndimi.

Ndonëse jashtë këtyre dy pikave, ajo, e veçmas Presidenti Vuçiq, prezantohen euro-perëndimor të moderuar.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë nuk besoj se nuk e dinë se as ai e as Serbia nuk është pyetur kur është shpallur Republika e Kosovës.

Po ashtu ai duhet të ketë lexuar diku qëndrimin e Ambasadorit të SHBA-s në Kosovë, Greg Delawie, se ushtria e Republikës së Kosovës do të bëhet, mbase brenda këtij viti (2017) dhe se askush, asnjë faktor politik, nuk e ka të drejtën e vetos në Kosovë ndaj kësaj çështjeje.

Kjo, zoti Ministër i Mbrojtjes i Serbisë, kujtoj se duhet të merrte në konsideratë. Mos e bartni më në shpirt e mbi supet e Serbisë të kaluarën mitologjike mbi gjashtëqindvjeçare me identitet të rrejshëm.

Jemi fqinj real, jo fqinj mitologjik! Eja të jetojmë pranë njëri-tjetrit. Kemi shumëçka për të ndrequr e kuvenduar!” (sic.), ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/

Exit mobile version