Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, ka dhuruar sot 530 libra në Qendrën Korrektuese në Lipjan.
Koordinatori Hoti dhuroi fillimisht librat në qendrën për të mitur. Aty ai foli për rëndësinë e shkollimit dhe arsimimit si një mundësi e vetme për të arritur qëllimet dhe sukseset jetësore.
“Ne të gjithë bëjmë gabime, dikush më pak e dikush më shumë. Nëse ju jeni këtu, do të thotë se ne si persona përgjegjës qoftë si qeveri, qoftë si prindër jemi të këqij sepse nuk jemi kujdesur sa duhet për juve. Por, mos harroni, përmes leximit mund të arrini formimin e personalitetit. Ju këshilloj të provoni të lexoni sepse koha do të shkojë më shpejtë dhe ju do të pasuroheni me dije. Sot ju kemi sjellë libra sepse arsimi është dritë dhe diell për çdo njeri dhe leximi është shpëtim nga çdo problem e çdo dukuri negative”, tha Hoti.
Në anën tjetër, drejtori i pavijonit për të mitur, Arif Beqa e falënderoi koordinatorin Hoti për donacionin si dhe kërkoi nga ai që të mundësojë për të miturit shkollimin në shkollat publike ashtu siç parashihet me ligj dhe udhëzime administrative.
“Ne mund të bashkëpunojmë edhe në aspektin e mbajtjes së garave për të miturit në qendrën tonë sepse do të ndodhte një aktivitet i jashtëzakonshëm për ta”, tha Beqa.
Koordinatori Hoti u prit edhe nga stafi drejtues i pavijonit të grave ku po ashtu dhuroi libra.
Ndërkaq banorët e qendrës korrektuese u ndanë shumë të kënaqur me librat që ju dhuruan.
“Nuk kemi pasur në bibliotekën tonë libra kaq të mirë nga autorë të njohur andaj shumë faleminderit për këtë donacion”, tha njëra nga banoret. /Telegrafi