Avdullah Hoti, kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, në forumin “Fol hapur” ka thënë se programi i këtij koalicioni ka të bëjë me zhvillimin ekonomik dhe është i pa konkurrencë.
Hoti gjatë këtij debati theksoi se koalicioni LDK-AKR-Alternativa do të ofrojë një kontratë të re për katër vitet e ardhshme,
“Ne sapo kemi nisur punën, shtylla e parë është zhvillimi ekonomik, punësimi. Programi është i pakonkurrencë në krahasim me partitë e tjera. Ne do ta kthejmë edhe më tutje zhvillimin ekonomik kah sektori privat”, ka deklaruar Hoti.
“Ne për dy vite e gjysmë kemi ndryshuar gjendjen rrënjësisht sa i përket zhvillimit ekonomik, kemi prodhuar rritje ekonomike tri herë më të lartë sesa e kemi gjetur. Sot buxheti i shtetit është tri herë më i madh sesa unë e kam gjetur në vitin 2014. Kemi përmirësuar kushtet e të bërit biznes krahasuar me vitin 2014. Sot rangohemi jashtëzakonisht mirë sa i përket këtyre kritereve ndërkombëtare”.
Hoti ka thënë se gjatë mandatit të tij, ka maksimizuar transparencën e shpenzimeve publike duke zbatuar prokurimin elektronik dhe duke qenë pakompromis në prezantimin dhe transparencën e të gjitha të hyrave, shpenzimeve qendrore dhe lokale.
“Ashtu siç kemi bërë edhe në këto dy vite e gjysmë ne do ta orientojmë zhvillimin ekonomik nga sektori privat, vetëm në këto dy vite ne kemi hapur dhjetëra mijëra vende të punës. Kemi bërë reforma të mëdha në mbledhjen e TVSH brenda vendit duke bashkuar ATK-në dhe Doganën. Ne kemi gati edhe pakon e dytë fiskale siç po e quajmë. Prodhuesit vendorë do i bëjmë konkurrentë me prodhuesit në regjion dhe më gjerë”, ka thënë kandidati i koalicionit për kryeministër.
Ai e ka fajësuar ish-partnerin e koalicionit për shkak të pengesave që ka bërë për vazhdimin e reformës fiskale.