Site icon Telegrafi

​Hoti, Thaçit: Nesër nuk është ditë e rrezikshme për vendin, nuk do të diskutohet për AKS-në

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se të enjten në Bruksel nuk do të diskutohet tema e Asociacionit të Komunave Serbe.

Ai gjatë diskutimit të sotëm me shoqërinë civile i është kundërpërgjigjur edhe presidentit Hashim Thaçi, duke thënë se nesër nuk është ditë e rrezikshme për vendin.

Ndryshe, edhe sot presidenti i vendit, Hashim Thaçi përmes një deklarate për media ka ripërsëritur se hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës.

Lexo po ashtu Thaçi: Kuvendi t’ia ndalojë kryeministrit Hoti të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës  

Në këtë deklaratë të Zyrës së Presidentit thuhet se Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit dhe po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror.

“Diskutimi për Asociacionin nesër në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë”, ka thënë Thaçi. /Telegrafi/

Exit mobile version