Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës Rexhep Hoti sot ka pritur në takim Kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj si dhe Menaxherin e Financave Ymer Ymeri.
Hoti njoftoi SBASHK-un me rrjedhën e zbatimit të Programit Nacional për Rininë duke thënë se ata janë komponentë e rëndësishme e zhvillimit të arsimit në Kosovë.
“Përmes këtij programi ne po krijojmë hapësirë për të gjithë nxënësit që të shprehin talentin e tyre. Programi është i përkthyer edhe në gjuhët e komuniteteve në Kosovë dhe ata kanë shprehur interesim të madh për të qenë pjesë e garës. Gara në nivelin e shkollës për kreativitet kulturor dhe mendim kritik ka filluar dhe shkollat tashmë janë përfshirë në atmosferën e garës. Ne kemi vizituar shumë shkolla e drejtori komunale për të parë nga afër procesin e garës sepse për ne është shumë e rëndësishme gara në nivelin e shkollës sepse aty përfshihen të gjithë nxënësit”, u shpreh Hoti.
E kryetari Rrahman Jasharaj, ritheksoi mbështetjen e SBAShK-ut për programin duke thënë se do të japin kontributin e tyre sa herë që është e nevojshme.
“Ne jemi duke përcjellur aktivitetet tuaja dhe ju përgëzojmë për punën që jeni duke bërë, sidomos në përfshirjen e nxënësve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Ju lumtë që nuk i keni harruar trojet shqiptare. Jam i lumtur që programi ka filluar të veprojë nëpër shkolla sepse ju keni bërë një program që u mundëson nxënësve të jenë të barabartë. Unë ju premtoj prapë se e keni mbështetjen tonë të plotë për çka do që keni nevojë”, theksoi Kryetari Jasharaj.
Në takim morën pjesë edhe zëvendësminstrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Leonora Morina-Bunjaku si dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Azem Guri.
Zëvendësministrat theksuan mbështetjen e ministrive që përfaqësojnë, duke treguar po ashtu se kanë zhvilluar vizita dhe takime me drejtorë shkollash, mësimdhënës e nxënës nëpër të gjitha komunat e Kosovës. /Telegrafi/