Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të hënën se përmes Ligjit për Investime Strategjike, në Malishevë, do të sjellim investitorë seriozë, që do të krijojnë vende pune e mirëqenie për familjet tuaja.
“Rinisë së Malishevës, ne do t’ia kthejmë shpresën. Sapo t’i kryejnë studimet, ne do t’u garantojmë 1 vjet përvojë pune me pagesë. Ata pastaj do të jenë kuadrot që do të punojnë nëpër bizneset që do të hapen përmes investimeve të shqiptarëve apo investimeve të huaja”, ka thënë Hoti.
Ai ka potencuar se Qeveria e re, përmes Fondit të Zhvillimit, do të mbështesë idenë e çdo të riu për biznes. “Ne kemi plan konkret për ta bërë buxhetin e Kosovës 3 miliardë euro. Reformat që kemi planifikuar do ta garantojnë rritjen ekonomike vjetore prej 7 përqind. Qeveria që unë do të drejtoj, me stabilitetin buxhetor që ju garantoj se do ta ketë, do të arrijë të punësojë çdo vit nga mbi 25 mijë të papunë, pra të gjithë ata që çdo vit bëhen të aftë për punë”, ka thënë Hoti.
Ai ka deklaruar se përmes investimeve që kemi planifikuar në disa sektorë, si Termocentrali Kosova e Re me mbi 1 miliard euro investim, investimi në Trepçë dhe minierat tjera apo investimet në Brezovicë e resurse tjera nacionale të Kosovës, do të arrijë të punësojë edhe kontigjentin tjetër të të papunëve.
“Ju garantoj se në fund të mandatit tonë qeverisës, Kosova do të ketë papunësi në përqindje njëshifrore. Me qeverisjen tonë, paga minimale do të jetë prej 210 euro, do të keni rritje pagash e pensionesh çdo vit”, ka shtuar Hoti.
Kandidati për kryeministër ka thënë se ne kemi plan konkret për trefishimin e investimeve në bujqësi.
“Grantet për bujqit dhe fermerët, Ju garantoj se do t’u shkojnë bujqve e fermerëve punëtorë të Malishevës, e nuk do të keqpërdoren sikur deri tani nga grupe kriminale”, ka shtuar ai.
Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka thënë se duhet të punojmë shumë që më 11 qershor të arrijmë fitore, sepse në këtë mënyrë do të fitojë Kosova.
“Programi ynë është alternativa më e mirë për vendin. LDK-ja, bashkë me AKR-në, Alternativën e Lëvizjen për drejtësi e ka listën më të mirë për deputetë. Në listën tonë janë njerëzit më të përgatitur në fushat përkatëse. Këta njerëz, të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, janë të gjendje të sigurojnë zhvillim ekonomik, punësi,, arsim, shëndetësi dhe integrime evro-atlantike për vendin tonë”, ka thënë Mustafa.
Sami Kafexholli, kryetar i degës së LDK-së në Malishevë ka thënë se: “ky koalicion është oferta e vetme që garanton model të qeverisjes së mirë, zhvillim ekonomik, vende pune, arsim e shëndetësi cilësore.
“Ne nuk mund të lejojmë ata që shkatërruan gjithçka, politizuan sistemin arsimor, keqpërdorën e bënë çdo gjë për interesa të tyre personale e klanore. Si mund t’i besohet koalicionit të krimit e korrupsionit në të cilin gjendet edhe Fatmir Limaj, i cili është sinonim i korrupsionit. Ju ftoj, që më 11 qershor të dilni në mënyrë masive të votoni për koalicionin tonë, për koalicionin e shpresës dhe kandidatin tonë për kryeministër Avdullah Hotin”, ka thënë Kafexholli. /Telegrafi/