Telegrafi

Hoti: Qeveria dhe forcat parlamentare të marrin në dorë situatën, ta “zhveshin” Thaçin nga qëllimi (Video)

Deputeti i NISMA Socialdemokrate në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoti ka thënë se deklaratat e Thaçit për kufijtë kanë qenë të hershme, të panevojshme dhe si të tilla kanë marrë edhe përgjigjen e Qeverisë.

Ai në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini deklaroi se debati që ka shpërthyer pas qëndrimeve të Thaçit ka shtyrë edhe miqtë ndërkombëtarë të reagojë.

“Këto mendime të miqve ndërkombëtar do të na ndihmojnë, siç ka kanë ndihmuar gjithmonë por është ende herët të flitet për rezultatin e këtyre bisedimeve”.

Hoti ka thënë se qeveria për herë të parë po mundohet t’i jep një rol edhe Kuvendit të Kosovës në procesin e bisedimeve.

“Kuvendi të ndërtojë një platformë sepse disa përfaqësues ndërkombëtarë po thotë se pranvera e ardhshme është e pëlqyeshme për arritjen e një marrëveshje mes palëve. E tha edhe z.Plamer dha mesazhin se asnjë forcë politike nuk ka kohë për kalkulime elektorale”.

Deputeti i NISMA Socialdemokrate thotë se Qeveria Haradinaj  ende nuk e ka filluar dialogun me Serbinë, pavarësisht takimeve të Thaçit me zyrtarët serbë.

“Qeveria është e gatshme të merr rolin e saj kushtetues. Ne duhet të konstatojmë se Qeveria Haradinaj ende nuk ka filluar dialogun me Serbinë. Thaçi mund të takohet me Vuqiçin por Qeveria ende nuk ka filluar bisedimet me Serbinë”.

Ai tha se Qeveria dhe forcat parlamentare duhet të marrin në dorë situatën.

“Ne bëjmë thirrje që Qeveria dhe forcat parlamentare të marrin në dorë situatën, të bashkëpunojnë ngushtë dhe të zhveshin nga qëllimi presidentin që po do të merr në dorë rolin i vetëm dhe qendror për të zhvilluar bisedime”, deklaroi më tej deputeti i NISMA Socialdemokrate, Enver Hoti./Telegrafi/