Site icon Telegrafi

Hoti: Prishtina për katër vjet ka mësuar si nuk duhet qeverisur

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një takimi me Degën e III-të të LDK-së, ka thënë të hënën se Prishtina në këto katër vite ka mësuar më së miri se si nuk duhet të qeveriset.

“Gabimi që është bërë para katër viteve më nuk do të përsëritet më, sepse Prishtina e ka kuptuar se cili është dallimi ndërmjet qeverisjes së LDK-së dhe qeverisjes nga të tjerët”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se koha e gazit lotsjellës, e molotovit dhe dëmtimit të pronës publike nuk do të përsëritet pas fitores së 11 qershorit.

“Ne do ta kthejmë qetësinë dhe perspektivën për familjet tona, do ta forcojmë sundimin e ligjit, do ta mposhtim krimin dhe korrupsioni dhe do ta zhvillojmë ekonominë”, ka thënë Hoti.

Kryetari i LDK-së dhe kryeministri, Isa Mustafa ka thënë se LDK është model se si qeveriset shteti, si respektohen institucionet dhe si ruhet pasuria publike.
Ai ka thënë se qeveria e tij ka bërë shumë punë të mira, por nuk ka bërë zhurmë dhe as pompozitet, sepse punët e mira i shohin më së miri qytetarët, të cilët me votën e lirë vendosin për të ardhmen pa krim dhe korrupsion.

Kryetari i Degës së III-të të LDK-së, Hazir Borovci ka thënë se kjo Degë me të drejtë quhet Dega e Ibrahim Rugovës.

Borovci ka thënë se kandidati për kryeministër Avdullah Hoti, gjatë pozitës së tij të nënkryetarit të Prishtinës, së bashku me kryeministrin Mustafa i kanë vënë themelet e zhvillimit të kryeqytetit.

“Shpresojmë dhe besojmë se ky sukses do të përsëritet edhe nga qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti në nivel të Kosovës”, ka thënë Borovci.

Exit mobile version