Site icon Telegrafi

Hoti: Kosova A do të dekomisionohet, Kosova B do të riparohet

Gjatë një vizite që i bëri të enjten Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë se programi i tij në fushën e energjisë parasheh dekomisionimin e termocentralit Kosova A, riparimin rrënjësor të Kosovës B dhe ndërtimit të termocentralit Kosova e Re.

“Reforma që është arritur në prodhimin e energjisë elektrike ka qenë mjaftë pozitive. Programi ynë parasheh dekomisionimin e Kosovës A, rikonstruimin e Kosovës B dhe ndërtimin e termocentralit të ri Kosova e Re”, ka thënë Hoti.

“Unë sot jam këtu për të siguruar stabilitet të kësaj ndërmarrjeje. Nuk kemi ardhur për të premtuar rritje të pagës, sepse ai është vendim i menaxhmentit, por ne do të ofrojmë mbështetje të fuqishme teknike dhe financiare për të zhvilluar kompaninë dhe për të përmirësuar kushtet e punës”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se një nga detyrat prioritare në sektorin e energjisë dhe mjedisit do të jetë zhvillimi  përmirësimi i mekanizmave të nevojshëm rregullator dhe operacional për arritjen e cakut prej 25% të pjesëmarrjes së energjisë nga burimet e ripërtërishme deri vitin 2020.

“Do të veprohet në nxitjen e mëtejme të burimeve të ripërtërishme të energjisë, në pajtim me potencialin, obligimin dhe nevojat, si dhe karshi zhvillimeve dhe përvojës evropiane. Do të përcaktohen modalitetet e investimeve për realizimin e rehabilitimit. Rehabilitimi i TC Kosova B do të bëhet pas hyrjes në operim të TC Kosova e Re”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se dekomisionimi i TC Kosova A, ose pjesëve të saj, do të bëhet pas studimit të alternativave të reja të gjenerimit plotësues, të kërkesave në tregun e energjisë elektrike dhe pasi të sigurohet furnizimi i qëndrueshëm me ndërtimin e Termocentralit Kosova C.

Arben Gjukaj, drejtor i përgjithshëm i KEK-ut ka thënë se nga kandidati për kryeministër ne morëm premtimin për mbështetje të vazhdueshme. “Ne në pika të shkurtra e njoftuam për sfidat dhe problemet me të cilat përballemi. Morëm premtimin që në të ardhmen këto sfida t’i tejkalojmë së bashku me synimin që ne të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarin dhe me çmime të përballueshme”, ka thënë Gjukaj.

Rafet Osmani, kryetar i sindikatës së punëtorëve të KEK-u ka thënë se kjo është ndër korporatat më stabile dhe profitabile në vend, por ne kemi nevojë për mbështetje të vazhdueshme.

Exit mobile version