Kryetari i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga Haradinaj është e brishtë për faktin se shumica parlamentare është shumë e ngushtë, përbëhet nga partnerë të vegjël që përcaktojnë fatin e qeverisë dhe që janë të motivuar për të mos lejuar progres në Kosovë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Hoti ka theksuar se nuk mund të pritet nga kjo qeveri se do të ketë zhvillime të mëdha siç është premtuar.
“Nuk ka plan të reformave ekonomike dhe nuk ka përkushtim për luftimin e korrupsionit”, ka thënë Hoti, duke paralajmëruar se mocioni i votëbesimit është një nga opsionet për rrëzimin e qeverisë.
Zyrtari i lartë i LDK-së, duke folur për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ka thënë se për çështje madhore gjithmonë është i nevojshëm konsensusi, por ka bërë thirrje që disa parti politike të heqin dorë nga kauzat e rrejshme.