Telegrafi

Hoti kërkon avancim të partneritetit publiko privat

Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka deklaruar se avancimi i Partneritetit Publiko Privat është prioritet dhe i domosdoshëm si për nivelin qendror ashtu edhe për atë lokal dhe se duhet të ofrohen kushte të mira për bizneset të cilat shprehin gatishmërinë për të investuar në pajtim me ligjet dhe Programin Zhvillimor të Qeverisë së Kosovës.

Këto komente i bëri në takimin e Komitetit për Partneritet Publiko Privat (PPP), ku theksoi se takimi i sotëm ka të bëjë me prezantimin nga sekretariati i PP-së të projekteve të cilat janë duke u implementuar, si dhe atyre të cilat presin që në një të ardhme të afërt të implementohen duke u bazuar në Ligjin për PPP, prandaj edhe takimet e rregullta të këtij komiteti janë të një rëndësie të veçantë.
Gjatë takimit nga Njësia për PPP u prezantuan projekte të rëndësishme të nivelit qendror dhe atij lokal të cilat kanë të bëjnë me PPP. Për projektet e prezantuara u theksua se mundësojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe ofrimin e shërbimeve më të mira dhe efikase për qytetarët e Kosovës dhe se me këto projekte mundësohet edhe kursimi i buxheti të shtetit.

Në takim prezentë ishin anëtarët e Komitetit për Partneritet Publiko Privat të emëruar nga Qeveria e Kosovës./Telegrafi/