Telegrafi

Hoti: Kemi ndërhyrje indirekte të Turqisë

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, duke komentuar në emisionin “Ora e Fundit” të Klan Kosovës kërkesën e Ambasadës së Turqisë për të marrë masa ligjore ndaj gazetarit Berat Buzhala, për shkak të një statusi të tij në Facebook, ka treguar se si do të veprohet pas kësaj çështjej dhe a do të ndikojë kjo situatë në raportet Kosovë – Turqi.

“Ndoshta në mënyrë indirekte mund të vinim në përfundim se kemi ndërhyrje të Turqisë, por jo në mënyrë direkte. Megjithatë mendoj se këto janë refleksione të një situate të tensionuar në Turqi”, tha ai.

“Ata po provojnë të imponojnë rregulla dhe ligje edhe jashtë Turqisë. Megjithatë Kosova është shtet i lirë dhe çdo kosovar mund të shprehet lirshëm”.

“Kosova nuk duhet ta injoroj, sepse është një kërkesë zyrtare. Kësaj kërkese duhet t’i përgjigjemi po zyrtarisht, duke nisur nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”.

Hoti tha se është Kosova ajo që vendos për fatin e qytetarëve të saj.

“Nuk mundet ligjet e Kosovës t’i interpretoj askush tjetër, nëse Qeveria nuk ka kapacitet duhet të kërkoj ndihmë edhe nga Kuvendi për të gjetur aktet kryesore që t’i përgjigjen kësaj kërkese”.

“Duke pasur për bazë pozicionin e Turqisë, nuk isha befasu nëse Turqia do të merrte edhe masa të tjera më radikale, siç janë ulja e marrëdhënieve diplomatik ose edhe e investimeve siç edhe ka ndodh në Gjermani”, tha Hoti.