Site icon Telegrafi

Hoti: Ka marrë fund koha kur shteti punonte për interesa të tre-katër personave

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të mërkurën në Fushë Kosovë, se me fitoren e koalicionit të djathtë do të përfundojë koha kur institucionet shtetërore kanë punuar për interesa të tre ose katër personave.

“Ju garantoj se ky koalicion do të merret me temat më të vështira për vendin dhe do t’i kryejë me sukses ato. Me fitoren e koalicionit të shpresës do të marrë fund edhe koha kur institucionet e shtetit kanë punuar për interesa të tre-katër personave dhe tani e tutje ato do të jenë në shërbim të qytetarit”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se është shumë i kënaqur me entuziazmin dhe pjesëmarrjen e përkrahësve të koalicionit në secilin vend të Kosovës që e kanë vizituar dhe me këtë entuziazëm do ta mbyllim fushatën me fitoren e 11 qershorit.

“Fushë Kosova nën udhëheqjen e LDK-së është shndërruar në një metropol, në të cilin është përqendruar e tërë industria, ndërsa me kryetarin tuaj kemi biseduar edhe për projekte tjera të jashtëzakonshme”, ka thënë Hoti, duke shtuar se në Fushë Kosovë jetojnë njerëz nga vise të ndryshme të vendit, përfshirë edhe Kosovën Lindore, ndërsa në listën e koalicionit ka edhe njerëz nga ajo pjesë.

Më tej Hoti ka vlerësuar lart njerëzit e përfshirë në listën e kandidatëve. “Lista jonë është përbërë nga njerëz të jashtëzakonshëm të fushave të ndryshme, njerëz të dëshmuar, profesionistë dhe kjo është garancia më e mirë për qytetarin”, është shprehur Hoti.

Hoti ka theksuar se programi i këtij koalicioni është kontratë me qytetarin. “Ne kemi program të qartë për zhvillim ekonomik, për punësim dhe arsim cilësor. Çdo i ri që e kryen shkollimin do të ketë një vit pune me pagesë, ndërsa do të mbështesim çdo ide të tyre për biznes”, ka shtuar Hoti.

I nominuari për kryeministër nga LDK-ja ka shtuar se do të ketë rritje të vazhdueshme të pagave dhe pensioneve, përmirësim të jetës edhe në aspektin ambientalist si dhe do të ndërpritet politizimi i skajshëm i institucioneve, duke filluar nga arsimi.

Në tubimin në Fushë Kosovë ka folur edhe kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministri aktual, akademik Isa Mustafa. “Jam i bindur që do të fitojmë, sepse është koalicion i fitores, koalicion për të mirën e qytetarit të Kosovës. Programi ynë ofron zhvillim ekonomik, punësim, integrime evropiane, luftë kundër korrupsionit dhe kujdes ndaj çdo familjeje të vendit”, ka thënë Mustafa.

Nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri, ka thënë se është koha që, o sot o kurrë, të bëjmë ndryshimin e madh dhe t’i largojmë nga pushteti ata që kanë keqpërdorur pasurinë e qytetarëve. “Këtë edhe do ta arrijmë dhe ashtu siç ia kam dhënë fundin SHIK-ut në Mitrovicë, tani do t’i japim fund në tërë Kosovën”, është shprehur Bahtiri.

“Ka kaluar koha e tyre, koha e komandantëve. Ne kemi respekt për çdo njeri që ka luftuar për këtë vend, i përkulem secilit që ka luftuar për t’i dalë zot atdheut, por nuk do t’u përkulemi dhe nuk do t’u nënshtrohemi kurrë atyre që kanë shkelur mbi gjakun e dëshmorëve”, ka thënë Bahtiri. /Telegrafi/

Exit mobile version