Site icon Telegrafi

Hoti: Gjatë vitit 2015, ndërron trendi i të hyrave në Dogana dhe ATK

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë bërë ndryshim rrënjësor të trendit të të hyrave.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se Dogana ka rritur të hyrat nga 34 milionë euro më 2014 në 80 milionë euro më 2015. Ndërkaq, ATK-ja ka kaluar nga trendi negativ me -1.5 milion euro më 2014, duke mbledhur 28 milionë euro më shumë më 2015.

Ai ka vazhduar se ky trend pozitiv dhe rritje e të hyrave reflekton klimën më të mirë në ekonomi dhe zvogëlimin e informalitetit, rritja e investimeve të jashtme vendore, rritja e prodhimit vendor, rritja e eksporteve dhe rritja e kreditimit të bizneseve.

“Klimës më të mirë biznesore i ka kontribuar edhe programi i Qeverisë së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili e ka rritur besueshmërinë e partnerëve ndërkombëtarë, bizneseve të jashtme dhe sidomos të sektorit bankar në ekonominë e vendit”, ka shkruar Hoti, transmeton KosovaLive.

Ky trend pozitiv, sipas tij, do të vazhdojë gjatë vitit 2016 me rritje të efikasitetit institucional, përmirësim të kushteve të të bërit biznes dhe kushteve të kredive.

Ministria e Financave, ka vazhduar Hoti, do të punojë ngushtë me Bankën Qendrore të Kosovës për të koordinuar aktivitetet në kuadër të programit me FMN-në për të përmirësuar ambientin biznesor në mënyrë që të bien normat e interesit për kredi. Kjo, sipas tij, do të mundësojë investime dukshëm më të mëdha nga bizneset vendore. /Telegrafi/

Exit mobile version