Telegrafi

Hoti flet për atmosferën e mirë që po mbretëron te Prishtina dhe fazën përgatitore në Turqi

FC Prishtina tash e 11 ditë ndodhet në Antalia të Turqisë ku po e kryen fazën përgatitore para rifillimit të edicionit në futbollin e Kosovës në fillim të muajit shkurt.

Skuadra nën urdhrat e trajnerit Abdulah Ibrakoviq po përgatitet maksimalisht duke kryer stërvitje nga dy herë në ditë.

Kampioni në fuqi i Kosovës deri më tash i kanë zhvilluar edhe tri ndeshje kontrolluese ndaj Chernomoresti Odesa, Atyrau dhe Gornik.

Prishtina humbi nga Chernomoresti 4:0, barazoi me Atyraun 2:2 dhe në takimin e fundit pësoi 2:1 nga Gornik.

Ndeshjen e radhës e zhvillon nesër (29 janar) ndaj Alanya Vladikavkaz, kurse në sfidën e fundit më 31 janar ballafaqohet me Kapfenbergun.
Sulmuesi Mendurim Hoti flet për fazën përgatitore dhe ndeshjet kontrolluese, për faqen zyrtare të klubit.

“Faza përgatitore po shkon sipas planit. Jemi duke i marrë ngarkesat e nevojshme fizike dhe po punojmë në aspektin taktik që të jemi sa më të përgatitur për stinorin pranveror. Te skuadra mbretëron atmosferë shumë e mirë dhe serioziteti në stërvitje dhe ndeshje është maksimal”, tha Hoti për faqen zyrtare të klubit. .

“Në këto takime nuk ka rëndësi rezultati, por përgatitja e ekipit. Këto duele do të na shërbejnë që sa më shumë ta ngritim ritmin e lojës dhe t’i përmirësojmë gabimet eventuale”, deklaroi Hoti.

/Telegrafi/